Zjarr në Kukës, prefekti Baji: Nuk janë në rrezik zonat pyjore

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në lagjen Myq-Mamëz të qytetit të Kukësit.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një perimetër të gjerë, ndërsa shtëllungat e tymit kanë mbuluar jo vetëm zonën përreth, por edhe vetë qytetin, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e ajrit.
Prefekti i Kukësit, Dritan Baji, në një deklaratë për mediet mbi situatën dhe masat që janë marrë nga autoritetet vendore, ka deklaruar se vatra e zjarrit është aktivizuar mbrëmjen e djeshme, por se zjarri është nën kontroll dhe se nuk ka rrezik që të përhapet drejt zonave pyjore.
Prefekti nënvizoi se ende është herët për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit, por prioritet mbetet menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë për qytetarët.
Ekipet e zjarrfikësve po përballojnë situatën, duke përdorur mjete uji dhe forca të shtuara. Era dhe mbetjet e ndezshme e kanë bërë të vështirë vënien nën kontroll të flakëve. Hetimet paraprake nuk përjashtojnë mundësinë e një veprimi të qëllimshëm.
/e.r//a.f//r.e/