“Shkelje e armëpushimit”/ Bombardimet në Liban, Irani po shqyrton mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Izraelit

Teksa bota feston arritjen e armëpushimit dy javor, irani po vlerëson mundësinë për të rifilluar sulmet kundër Izraelit, si përgjigje ndaj atyre që i konsideron “shkelje të armëpushimit të përkohshëm në Liban”.
Kështu shkruan agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke cituar një zyrtar iranian. Lajmi raportohet edhe nga Al Jazeera.
Ambasadori dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Ali Bahreini, tha se Izraeli duhet të respektojë armëpushimin në Liban dhe se çdo sulm i mëtejshëm do ta ndërlikonte situatën dhe do të kishte pasoja.
Ndërkohë edhe Rusia kërkon që përshkallëzimi i dhunës në Liban të mos injorohet.
“Përshkallëzimi shkatërrues i dhunës në Liban nuk duhet nënvlerësuar kur diskutohet kriza që ka zhytur Lindjen e Mesme. Përkundrazi, zhvillimet në Liban janë rezultat i agresionit të paprovokuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli“, tha Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.
Ka reaguar edhe kryeministri I Pakistanit, Shehbaz Sharif, një prej negociatorëve kyç në arritjen e armëpushimit dy-javor.
“Janë raportuar shkelje të armëpushimit në disa zona të konfliktit, të cilat minojnë frymën e procesit të paqes. U bëj thirrje me sinqeritet dhe përkushtim të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë armëpushimin për dy javë, ashtu siç është rënë dakord, në mënyrë që diplomacia të marrë rolin kryesor drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit”, shkruan ai.

Sulmet ajrore në shkallë të gjerë të Izraelit kundër Hezbollahut në të gjithë Libanin bënë që 50 avionë luftarakë të hidhnin afërsisht 160 bomba në 100 objektiva në vetëm 10 minuta.
Kështu deklaroi ushtria izraelite, sipas Times of Israel. Vala e sulmeve është quajtur “Errësira e Përjetshme” brenda vendit.
Po ashtu, IDF tha se bombardoi afërsisht 100 qendra komande të Hezbollahut dhe infrastrukturë tjetër ushtarake në Bejrut, Luginën Beqaa dhe Libanin jugor.
LEXO EDHE: VIDEO/ Izraeli vijon bombardimet në Liban, qindra të vrarë!