E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, Rama nga Lezha: Unë flas për punët tona, nuk flas për punët e Gjermanisë apo…! Mjafton një të thotë “jo”, nuk bëhet!

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste në Lezhë.

Gjatë fjalës së tij, Rama foli sërish për procesin e integrimit duke u shprehur se, Shqipëria i hapur të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord.

“Unë flas për punët tona, nuk flas për punët e Gjermanisë apo për punët e Francës. Unë flas për punët tona. Ne duhet të bëjmë punët tona. Ne nuk duhet t’u lëmë atyre asnjë sebep që pastaj gjërat të fillojnë të vonohen. Dhe për këtë na duhet të jemi kompaktë, na duhet të jemi të fortë dhe na duhet patjetër që në zgjedhjet e ardhshme vendore ne ta konfirmojmë forcën tonë me patjetër”, tha ndër të tjera kreu i mazhorancës.

Pjesë nga fjala e Ramës:

“Besoj që, nëse do mundoheni pak të kujtoheni kur unë thosha që do mbyllim negociatat në 2027-ën dhe do anëtarësojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian në 2030-ën, thoshin që ky i sajon këto, këto nuk qëndrojnë as në qiell, as në tokë, ku e di ky, si i di ky, kjo është gënjeshtër, etj.

Ndërkohë që, pastaj doli që s’ishte fare një sajesë apo një opinion i imi, por ishte, siç unë thosha, një marrëveshje me Komisionin Europian për të ekzekutuar një kalendar pune dhe për t’i kryer detyrat e shtëpisë ne si Shqipëri, me një ambicie të madhe dhe me një plan shumë ambicioz që përfundon në 2027-ën dhe pastaj, mbasi negociatat në 2027-ën përfundojnë me Komisionin, mbetet koha rreth dy vjet për të marrë miratimet në parlamentet e vendeve anëtare, sepse të gjithë parlamentet e vendeve anëtare duhet të shprehen për një anëtar të ri. Dhe kështu shkon, me një llogari edhe të çfarë mund të ketë në ndërmjet, në 2030-ën.

Dhe faktikisht, e vërteta është që ne i kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave në një kohë rekord, që ka ardhur edhe si rezultat i punës sonë, por edhe si rezultat i gatishmërisë së tyre, se duhet thënë edhe kjo, sepse procesi i zhvillimit të marrëdhënieve me Bashkimin Europian është një proces ku nuk ka rëndësi vetëm se çfarë bën ti, por ka rëndësi edhe se çfarë duan ata dhe sa janë ata të gatshëm që të merren me ty, ose sa shumë ata nuk e kanë mendjen derisa vendosin të merren me ty.

Dhe për ta pasur një ide shumë të thjeshtë se si funksionon, është si një ndërtesë me dy kate. Në katin e parë është Komisioni Europian, Brukseli, ku janë 35 mijë njerëz që punojnë për të gjitha çështjet dhe ata të gjithë janë ekspertë që merren me aspektet teknike të çdo çështjeje që ka Bashkimi Europian dhe një pjesë e tyre merren me vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, me vendet që aspirojnë të hapin negociatat, me vendet që bëjnë negociata dhe ata praktikisht u paraqesin vendeve detyrat dhe u thonë: këto janë detyrat. Duhet të bëni këtë reformë, duhet të bëni këtë reformë, duhet të bëni këtë reformë, duhet të bëni atë ligj, atë ligj, atë ligj, etj. Dhe duhet të merrni këto masa për të ardhur në pikën që vendi të bëhet një vend ku ligjet të jenë përafruar me të gjitha ligjet e Bashkimit Europian dhe, patjetër, edhe për të vlerësuar se si zbatohen ligjet.

Dhe pastaj, në bazë se si vendi i kryen detyrat, ata i çojnë letrat në katin e dytë dhe nxjerrin raportin dhe thonë: ky është raporti për Shqipërinë, Shqipëria i ka kryer detyrat dhe duhet të hapë negociatat. Ata në katin e dytë tani janë 27 vendet anëtare dhe aty funksionon ndryshe. Aty nuk funksionon vetëm me çfarë ke bërë ti. Aty funksionon sa gati janë të 27 që të thonë “po” dhe mjafton një të thotë “jo”, nuk bëhet. Për çdo gjë, edhe për vendimet që Bashkimi Europian merr për veten e vet, del njëri kundër, s’bëhet.

Dhe ne kemi arritur të krijojmë respekt dhe besim që s’e kemi pasur kurrë më përpara.

Sot ne kemi momentin tonë, sepse ne kemi bërë pjesën tonë, siç e thashë, por janë bashkuar edhe yjet e fatit tonë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për aq kohë sa e kemi këtë moment. Nuk duhet të mendojmë që dera e hapur e Bashkimit Europian do të rrijë hapur për gjithë jetën dhe do na presin ne. Dera është e hapur dhe ne duhet të hyjmë brenda.

Tani, siç ishte ai afat në fund të janarit, janë të gjitha afatet e tjera për punët tona. Unë flas për punët tona, nuk flas për punët e Gjermanisë apo për punët e Francës. Unë flas për punët tona. Ne duhet të bëjmë punët tona. Ne nuk duhet t’u lëmë atyre asnjë sebep që pastaj gjërat të fillojnë të vonohen. Dhe për këtë na duhet të jemi kompaktë, na duhet të jemi të fortë dhe na duhet patjetër që në zgjedhjet e ardhshme vendore ne ta konfirmojmë forcën tonë me patjetër.

Është e rëndësishme që Partia Socialiste të dalë shumë e fortë dhe të vazhdojë të ushtrojë forcë për të realizuar një objektiv që është objektiv historik. Na e ka sjellë ne fati, Zoti, quajeni si të doni, që ta kemi këtë barrë, që ta çojmë deri në fund këtë proces. Edhe populli shqiptar na ka dhënë 83 mandatet për të na thënë: ja ku i keni, çojeni këtë proces deri në fund. Dhe ne nuk mund të lejojmë që ky proces të merret peng për asgjë tjetër që është në dorën e shqiptarëve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›