Shkodër, AKU shton kontrollet afër shkollave, asgjëson mallin e bllokuar gjatë verës

Tregtimi i bulmetit dhe produkteve të mishit ka qenë në fokus të kontrolleve gjatë sezonit veror nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. (AKU) Pas sekuestrimit të disa ton produkteve në 3 fasha kontrollesh, AKU Shkodër po merret me asgjësimin e mallit.
“Gjatë kontrollit ka pasur një bashkëpunim midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj AKU-së. Janë marrë disa masa administrative, është bërë dhe bllokimi I produkteve ushqimore. Ne po vazhdojmë me asgjësim sipas detyrave që është lënë nga Drejtoria e Përgjithshme”, tha Ramir Haderi, drejtor i AKU në Shkodër.
Aktualisht sëbashku me task forcën e krijuar nga Prefektura e Shkodrës po bëhen monitorime në perimetrat e sigurisë në institucione shkollore. Çdo subjekt që ofron produkte pa etikete dhe certifikatë sigurie do të penalizohet.
“Tek perimetri i sigurisë së shkollave është taks forca që në bashkëpunim me institucione të tjera janë në monitorime. Kur hasen probleme shkon deri në pezullim të aktivitetit apo mbyllen. Aktualisht nuk kemi pasur ndonjë rast, por është një situatë që është në vazhdimësi”, tha ai.
Kontrollet nga ana e autoritetit kombëtar të ushqimit dhe drejtorisë rajonale të tatimeve në tregjet me shumicë dhe pakicë do të vijojnë me intensitet, me qëllim formalizimin e ekonomisë dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Gazetar: M. Gjoni
/rtsh.al/