Shkoder/ SPAK merr të pandehur 3 persona për atentatin ndaj Aleksandër Prendit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë të pandehur Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, të cilët akuzohen se kanë organizuar dhe planifikuar vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij.
Sipas hetimeve të SPAK, plani kriminal nuk është realizuar pasi grupi i dyshuar i atentatorëve, sapo ka hyrë në fshatin Rranxë, në njësinë administrative Bushat të Bashkisë Vau i Dejës, është përballur me të shtëna me armë zjarri nga Aleksandër Prendi.
Ndaj tre të dyshuarve janë ngritur akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, si dhe “mbajtje pa leje të armëve”, të gjitha të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Nën hetim është vendosur edhe Aleksandër Prendi, ndaj të cilit rëndon akuza për “vrasje në tentativë”, pasi dyshohet se ka hapur zjarr gjatë përplasjes së armatosur.
Sipas SPAK, Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, janë nisur me mjete të blinduara drejt fshatit Rranxë me qëllim ekzekutimin e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij.
Gjatë lëvizjes në zonë, palët janë përfshirë në shkëmbim zjarri. Nga provat e administruara rezulton se nuk ka pasur viktima apo të plagosur, por vetëm dëme materiale në automjete. Një prej mjeteve të përdorura nga grupi i dyshuar është gjetur i dëmtuar, i paregjistruar dhe me targa të huaja që nuk i përkisnin automjetit.
Aktualisht, në paraburgim ndodhen Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët janë vetëdorëzuar në polici, pasi rezultonin në kërkim edhe për një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur më herët në Shkodër. Ndërkohë, Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim.