Shkolla “22 Tetori” në Berat, kushte moderne mësimi për 500 nxënës

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Në kantierin e shkollës “22 Tetori” në Berat po merr formë godina e re, një projekt i financuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe bashkëfinancim të bashkisë.
Kryetari komanduar i bashkisë së Beratit, Ervin Ceca inspektoi nga afër punimet që po kryhen në këtë shkollë, një investim që i përgjigjet jo vetëm nevojave të arsimit, por edhe komunitetit të zonës.
“Shkolla do t’u ofrojë rreth 500 nxënësve kushte moderne mësimi, laboratorë bashkëkohorë, palestër dhe klasa me standarde”, tha Ceca.
Ceca theksoi se “në projekt është menduar edhe një klasë e dedikuar për prindërit dhe një hapësirë për artin e zejet, sepse shkolla është më shumë se një institucion arsimor, është vendi ku bashkohen fëmijët, mësuesit dhe familjet në një komunitet”.
Sipas tij, ky investim ka ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e arsimit në qytetin e Beratit.
Shkolla do të ketë salla shumëfunksionëshe, laboratorë, bibliotekë, dhomën e mjekut, dhomë për nxënësit me aftësi ndryshe, palestër dhe ambientet e saj ndihmëse. Gjithashtu në shkollë do të ketë ambiente të tjera teknike, si dhe tarracë të gjelbëruar, një tjetër ambient rekreativ për shkollën. Kjo shkollë do të ketë një smartlab të ri për të zhvilluar lëndën e TIK-ut sipas kurrikulës së re.
Godina e re ka një strukturë moderne, që shkrin brenda saj dhe elemente të traditës.
/k.s/j.p/r.e/