E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet gjobitësi i kamerierit 15-vjeçar

KAVAJE - Çdo ditë E.S., një 15-vjeçar nga Golemi, që punonte në një prej lokaleve të zonës së plazhit pranë zonës së Malit të Robit, duhej t'i jepte paratë që kishte me vete Alban Gjuzit 21 vjeç nga Rrogozhina. 

Nëse ndonjë ditë nuk e takonte në bregdetin e plazhit, ishte një ditë e lumtur për të, sepse nuk do ta detyronte t'i jepte para. Kjo ka ndodhur për gati një javë rresht mes një 15-vjeçari, që punonte si kamerier në një prej lokaleve të plazhit në Malin e Robit. Periudha e verës është shfrytëzuar prej adoleshentit për të fituar të holla me qëllim që t'i kishte gjatë periudhës së shkollës. Por veç kësaj duhet të përballonte me shpenzime edhe Alban Gjuzin, sipas policisë një person me precedentë penalë dhe i njohur nga policia si kontingjent. Tri ditë më parë, i mituri ndaloi një prej mjeteve të policisë së Kavajës, që patrullojnë në plazh dhe iu sqaroi hallin e tij. Nuk zgjati shumë dhe kamerieri i ri, e pa veten në Komisariatin e Kavajës, ku edhe denoncoi 21-vjeçarin nga Rrogozhina. Pas marrjes së deklarimit, policia priti që sërish shfaqjen e 21-vjeçarit t'i kërkonte dhe t'i merrte adoleshentit të gjitha paratë që kishte me vete. Sapo 21-vjeçari nga Rrogozhina, iu afrua 15-vjeçarit E.S., për t'i kërkuar paratë, agjentët e krimeve i janë afruar atij dhe e kanë bllokuar në flagrancë. Gjuzi, është arrestuar me akuzën e shtrëngimit të dhënies me forcë dhe me anë të kanosjes të parave dhe vjedhjes me dhunë.                                  d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›