Shpallet partia e re Koçit, do të quhet PS 91
Petro Koçi shpall zyrtarisht krijimin e partisë së tij. Partia më e re e krijuar në gjirin e së majtës do të quhet Partia Socialiste 1991, ndërsa inicialet e saj do të jenë PS 91.
E krijuar nga ish-drejtues dhe ish-funksionarë të lartë të PS-së gjatë viteve 1992-2005, themeluesit kanë zgjedhur pikërisht këtë emër, duke e lidhur atë me aspiratat dhe idealet e themelimit të Partisë Socialiste në vitin 1991. Zyrtarizimi i kësaj partie, e cila pritet të jetë në koalicion me LSI-në në zgjedhjet e ardhshme, është bërë në ambientet e hotel “Tirana International”, ku kanë marrë pjesë më shumë se 50 të pranishëm, të cilët janë edhe emrat kryesor të grupit nismëtar të PS 1991. Gjithashtu dje janë bërë edhe zgjedhjet e emrave drejtues në këtë parti, të cilët janë: kryetar Petro Koçi, sekretar i Përgjithshëm Makbule Çeço, sekretar Organizativ Enver Reçi, sekretari koordinativ Gëzim Podgorica dhe sekretar për Marrëdhëniet me Publikun, Gjergj Koja. Gjithashtu pjesëtar të grupit nismëtar dhe komitetit drejtues të PS 91 janë emrat e mëposhtëm: Paqësor Zeneli, Majlinda Keta, Halil Lalaj, Kolë Malaj, Liri Golemi, Ilir Kokona, Nazmi Bilani, Lekë Çukaj, Shpëtim Kateshi, Marika Çakërri, Petrit Bare etj. PS 91 do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme në koalicionin “E majta për integrim”. Gjithsesi, emri i saj pritet të mbjellë polemika me drejtuesit aktualë të PS-së për shkak të ngjashmërisë, që ato mund të kenë në fletën e votimit.
25 Shtator 2008