Shqipëria bëhet bazë e re e prodhimit të anijeve lundruese në rajon, Nufi: Mbi 400 vende pune në kantierin e Pashalimanit

Sot u finalizua një marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi mes shoqërisë shqiptare “Kayo” sh.a dhe gjigandit italian të ndërtimit të anijeve Fincantieri, duke hapur një kapitull të ri strategjik për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes.
Ky partneritet parashikon prodhimin në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Kantieri i Pashalimanit do të shndërrohet në një qendër moderne prodhimi, ku sipas marrëveshjes do të punësohen rreth 400 persona.
Gjatë fjalës së tij përshendetëse në ceremoninë e nënshkrimit, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi u shpreh se, “Shqipëria bëhet një bazë e prodhimit në rajon. Rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier, i cili do të jetë fjalë e teknologjisë së fundit. Do të rrisë kapacitetin e prodhimit të anijeve lundruese. Kjo firmosje tregon marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë dhe Italisë. Fincantieri është një kompani që ka prodhuar mijëra anije nëpër botë.”
Ministri theksoi se kjo marrëveshje është një gur themeli për zhvillimin industrial dhe punësimin e të rinjve, duke sjellë teknologji të reja në Vlorë dhe më gjerë.
“Ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike. Shqipëria bëhet një bazë e re europiane e Fincantierit për anijet e vogla dhe të mesme, duke zgjeruar kapacitetin prodhues. Shoqëria KAYO pozicionohet si partner i besueshëm industrial në një arkitekturë ndërkombëtare,” tha ministri Nufi.
Ai shtoi se kjo është një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, duke kujtuar se Fincantieri, me një histori mbi 230 vjeçare, është një nga shtyllat e industrisë globale detare.
Ky hap i ri e vendos Shqipërinë në hartën e prodhimit të mjeteve lundruese në rajon, duke i dhënë vendit një rol të rëndësishëm në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi e cilësoi këtë hap si një tregues të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë. Ai theksoi se kantieri i ri në Pashaliman do të punësojë rreth 400 persona, duke u kthyer në një gur themeli për zhvillimin industrial dhe punësimin e të rinjve.
“Sot kjo firmosje është një tregues shumë i mirë i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona. Fincantieri, për 230 vjet me radhë, ka ndërtuar mijëra anije në botë dhe është një nga shtyllat e industrisë globale detare.”Rreth 400 persona do të punësohen në këtë kantier të ri, duke u kthyer në një gur themeli për prodhimin industrial, por edhe për punësimin e të rinjve dhe të rejave. Do të sjellim një teknologji të re që do të zhvillohet në Vlorë dhe jo vetëm për prodhimet e anijeve lundruese.”
/rtsh.al/