E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe ShBA zgjerojnë bashkëpunimin në kapacitetet kibernetike ushtarake

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu njoftoi sot një hap të ri në bashkëpunimin ushtarak mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve kibernetike.

Ky bashkëpunim synon jo vetëm forcimin e aftësive teknologjike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, por edhe shkëmbimin e eksperiencës dhe përforcimin e bashkëpunimit në kuadër të standardeve të NATO-s.

Si pjesë e këtij procesi, personeli civil dhe ushtarak i Qendrës Operacionale Kibernetike – Komanda Kibernetike dhe Ndërlidhjes po ndjek një trajnim intensiv dyjavor, i drejtuar nga njësitë amerikane Multi-Domain Task Unit dhe II Marine Expeditionary Force Information Group.

Trajnimi përfshin tematika të avancuara mbi mbrojtjen kibernetike, menaxhimin e incidenteve dhe rritjen e kapaciteteve operative në ambientet digjitale.

Ministri Vengu theksoi se ky bashkëpunim i zgjeruar është një dëshmi e angazhimit të Shqipërisë për të qenë pjesë e një sistemi mbrojtjeje të integruar dhe modern, duke u mbështetur në standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të NATO-s.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se marinsat amerikanë nga Marine Rotational Force–Europe po punojnë me specialistët e sigurisë kibernetike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë gjatë një trajnimi dyjavor për Operacionet Mbrojtëse Kibernetike.

“Duke ndarë ekspertizën dhe duke ndërtuar aftësi të reja, ne po ndihmojmë në forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë dhe në mbështetjen e Aleancës sonë të NATO-s. Ky trajnim ndërtohet mbi vitet e ndihmës nga Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në mbajtjen e rrjeteve të Shqipërisë të sigurta dhe të gatshme për të ardhmen”, thuhet në psotimin e ambasadës në rrjetet sociale.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›