Progres-raporti i KE, Meta ironizon: Nuk ka Europë dhe Regres-Raport që mbulon korrupsionin dhe kapjen totale të shtetit, Rama jo vetëm nuk ka përmbushur reformat por ka një administratë totalisht patronazhiste!

Lideri i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe përfitimet nga Plani i Rritjes së Bashkimit Europian.
Meta pretendon se vendi nuk po përmbush reformat e kërkuara dhe akuzon qeverinë e Edi Ramës për korrupsion, kapje të institucioneve dhe mungesë rezultatesh në procesin e integrimit europian.
Postimi i Ilir Metës:
Nuk ka Europë dhe Regres-Raport, që mbulon korrupsionin dhe kapjen totale të shtetit nga Edi Rama.
Nga 922 milionë euro të parashikuara nga Plani i Rritjes së BE-së, Shqipëria, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka përfituar deri në fund të vitit 2025 vetëm 76.2 milionë euro mbështetje buxhetore.
Për 228.47 milionë eurot e destinuara për investime, disbursimi ishte ZERO sepse Edi Rama jo vetëm nuk ka përmbushur reformat por ka një administratë totalisht patronazhiste.
Edhe vetë Komisioni Europian evidenton korrupsionin sistemik, kapjen e institucioneve, mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, problemet me pavarësinë e drejtësisë, presionin ndaj medias dhe degradimin e shtetit të së drejtës.
Edi Rama kërkon të integrojë Shqipërinë në Europë përmes lobimeve të korruptuara, paraqitjes së dështimeve si suksese, të zvarritjeve si arritje, dhe me të njëjtat mekanizma me të cilët ka kapur shtetin, korrupsionin, klientelizmin, propagandën dhe pandëshkueshmërinë!
Nuk ka Regres-Raport, që fsheh Narkoshtetin, që ka krijuar në zemër të Europës dhe që përbën një kërcënim, jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare dhe rajonale, por edhe për vetë kontinentin. Asnjë standard nuk është plotësuar nga 9 kushtet e Bundestagut të vitit 2019, asnjë standard nuk është përmirësuar.
Të keqpërdorësh luftën në Ukrainë dhe interesin strategjik të BE për të përshpejtuar zgjerimin nuk ndihmon njeri, sepse ngaqë nuk janë përmbushur ato 9 kushte të Bundestagut, mbi 800 mijë shqiptarë janë detyruar të jetojnë në Europë duke u larguar nga sytë-këmbët nga vendi i tyre.
Ndaj Lëvizja Studentore mund të jetë fuqia kryesore për të zhbllokuar integrimin europan dhe për t’u ndarë me shtetin e dështuar të Edi Ramës. Askush nuk çuditet, që pengmarrësi kryesor i integrimit të Shqipërisë, që nga bllokimi me alibinë e Qarkut të Fierit, të vetëshpallet si i vetmi garant i këtij procesi.
Po kështu, të vetëshpallet edhe si njeriu që e ka çuar flamurin e Shqipërisë atje ku nuk ka qenë kurrë, dhe në fakt këtu ai nuk gënjen sepse është i vetmi që e ka çuar flamurin e Shqipërisë në ARUBA dhe këtë më mirë se çdo gjë e tregon rënia në pikiatë e kursit të euros nga narko-euro. Europa nuk mund të jetë vetëm euro dhe për më tepër narko-euro për aq kohë sa Kriteret e Kopenhagenit nuk janë shfuqizuar ende.