E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në NATO, firmoset protokolli i pranimit

 

Nga dje, ambasadori në NATO i Shqipërisë gëzon të drejtën e marrjes pjesë në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut, por pa të drejtë vote

TIRANË- Shqipëria dhe Kroacia janë vetëm një vit larg anëtarësimit të plotë në NATO. Dje, Këshilli i NATO-s dhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe të Kroacisë nënshkruan në Bruksel, protokollet për anëtarësimin e këtyre vendeve në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kjo do të thotë që për 26 vendet anëtare të NATO-s fillon procesi i ratifikimit në parlamentet e tyre kombëtare. Pas këtij procesi, Shqipëria dhe Kroacia duhet të ratifikojnë versionin e modifikuar të marrëveshjes, duke u bërë anëtarë me të drejta të plota sapo të kenë depozituar dokumentet e ratifikimit në Uashington. Qëllimi është që Shqipëria dhe Kroacia të anëtarësohen para Samitit të ardhshëm të NATO-s në prill të 2009. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Shefer u shpreh se nuk mund të kontrollonte procesin e ratifikimit nga vendet anëtarë, por shpresoi që ky proces të përfundonte brenda një viti. “Unë shpresoj dhe do të bëj maksimumin, për aq sa është rrezja e kompetencave të mia si Sekretar i Përgjithshëm, që të shoh se procesi i ratifikimit do të bëhet me një shpejtësi të arsyeshme. Dhe shpejtësia e arsyeshme, është që unë shpresoj se ky proces do të ketë përfunduar vitin që vjen. Por nuk mund të jap garanci pasi eksperienca si deputet në parlamentin e vendit tim, Holandës, gjatë 16 viteve më ka mësuar që gjëja e fundit që duhet bërë, është që t’i bësh presion parlamenteve. Por unë jam relativisht optimist se procesi i ratifikimit do të përfundojë në kohën e duhur”,- tha dje Shefer në një intervistë për TV “Alsat”. Nënshkrimi i protokolleve për anëtarësimin e të dy vendeve, do të thotë që ambasadorët e Shqipërisë dhe Kroacisë gëzojnë të drejtën e marrjes pjesë në mbledhjet e rregullta të Këshillit të Atlantikut të Veriut, por pa qenë pjesë e vendimmarrjes deri në anëtarësim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, përcolli dje edhe mesazhin për Shqiptarët. “Mos ndaloni atë që keni bërë gjatë gjithë viteve të kaluara, vazhdoni të reformoni, vazhdoni të na ndihmoni ne, të ndihmoni NATO-n, tani si vend kandidat dhe më vonë si vend anëtar që të jetë një eksportuese e sigurisë dhe e stabilitetit. Dhe ky do të jetë një faktor stabilizues në rajon, me Shqipërinë si një anëtare e NATO-s”,- tha Shefer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›