Vlorë, pranga kryeplakut për kultivim hashashi
Vlorë- Policia e Vlorës ka arretsuar sot kryeplakun e Cerkovinës, i akuzuar për mbjellje hashashi. Pas shpalljes në kërkim së 53-vjeçarit Reshat Begaj, ai është vënë në pranga, në banesën e tij.
Shpallja në kërkim e kryeplakut është bërë në 14 qershor, kurblutë e policisë pas një kontrolli në fshatin Cerkovinë kanë pikasur se mes kultivuesve ka rezultuar edhe vetë kryeplaku i këtij fshati.
Si bënë atëherë me dije burime nga policia, nga ana e efektivëve të seksionit të luftës kundër narkotikëve janë konstatuar të kultivuara dhe janë asgjësuar 42 bimë kanabis sativa. Bimët kanë pasur një gjatësi 1 deri në 1.3 metra, dhe kanë qenë të mbjella në një parcelë me vresht dhe ullinj.
Sipërfaqja në fjalë, ku mbjelljet e vreshtit dhe të ullinjve, fshihnin hashashin ka qenë në pronësi të kryeplakut të fshatit, 53-vjeçarit Reshat Begaj, lindur dhe banues po në Cerkovinë.
Pas gjetjes së sasisë së mbjellë, efektivët e policisë kanë shkuar në shtëpinë e kryeplakut, por nuk e kanë gjetur atë në banesë, duke e shpallur atë në kërkim. Rasti ndodh kur vetë krypleqtë e fshatit, apo drejtues të njësive të vendorit, janë të angazhuar në luftën kundër kanabisit, ndërsa edhe në radhët e tyre kanë rezultuar kultivues.
Vetëm pak javë më parë drejtues të lartë të strukturave të policisë u kanë bërë me dije drejtuesve, detyrimin që kanë në këtë luftë pa kompromis.