Pretenca, 47-vjet burg për 3 familjarët që vranë për hakmarrje
Shkodër-Prokuroria e Shkodës ka kërkuar 47-vjet burg për tre shtetas, të cilët akuzohen për një vrasje të kryer për hakmarrje në vitin 1995.
Përpara trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ken Dhima, përfaqësuesi i akuzës, prokurori Vat Stakaj ka kërkuar deklarimin fajtor të shtetasve Bardhok Ndoci, 56-vjeç, Dedë Ndoci, 36-vjeç dhe Petrit Ndoci, 27-vjeç për vrasje me paramendim për motive gjakmarrjeje e hakmerrjeje, të kyrer në bashkëpunim.
Dy prej të dyshuarve, Bardhok e Dedë Ndoci kanë qenë të pranishëm në seancën gjyqësore, pasi janë ndaluar nga policia më 31 mars të vitit 2007, ndërsa Petrit Ndoci është gjykuar në mungesë.
Dënimin me 17 vjet burgim për Bardhok Ndocin dhe me nga 15 vjet burgim për Dedë e Petrit Ndocin, ka qenë pretenca e prokurorit Stakaj.
Ngjarja për të cilën akuzohen tre pjesëtarët e familjes Ndoci nga fshati Mnelë e komunës Mnelë-Vig në Shkodër, ka ndodhur më 26.05.1995 në këtë fshat. Xhaxahi dhe dy nipat akuzohen për vrasjen me mjete të forta të shtetasit Prend Ndue Gega, 52-vjeç, banor i këtij fshati.
Pas krimit ata ishin larguar nga fshati Mnelë për t’u zhvendosur familjarisht në Lezhë e Tiranë. Vrasja e Prend Gegës, sipas prokurorisë është bërë për motive hakmarrjeje.
Sipas burimeve, viktima, kur ishte 19-vjeç kishte rrahur për vdekje shtetasin Zef Ndoci, përkatësisht babai dhe gjyshi i të akuzuarve të sotëm. Ndërsa në vitin 1995, janë djali dhe nipat e viktimës që hakmerren duke vrarë autorin e vrasjes së mëparshme.
Kjo ngjarje ka qenë e pazbuluar nga policia dhe dosja hetimore që lidhej me të është zhdukur në vitin 1997. Kjo ka sjellë që dhe autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, të mos kapen .