Shqipëria në krye të Presidencës së Komunitetit të Transportit

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Shqipëria, në cilësinë e kryesueses së Presidencës së Komunitetit të Transportit për këtë vit, ka udhëhequr sot dialogun rajonal mbi integrimin evropian dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne në Ballkanin Perëndimor.
Në Takimin e 9-të Ministror të organizuar në Bruksel, vendet e rajonit diskutuan mbi progresin, sfidat dhe prioritetet e përbashkëta në sektorin e transportit.
Duke marrë fjalën në emër të Presidencës shqiptare, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, theksoi vendosmërinë e Shqipërisë për të avancuar procesin e harmonizimit me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe për të përshpejtuar integrimin e rajonit në rrjetin panevropian të transportit TEN-T.
Sipas saj, një infrastrukturë moderne dhe e ndërlidhur është thelbësore për zhvillimin ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Muçaj nënvizoi se prioritetet e Presidencës shqiptare mbeten: Vazhdimësia e politikave dhe projekteve të iniciuara; Zbatimi i reformave dhe detyrimeve të marra përsipër në kuadër të Komunitetit të Transportit; Rritja e ndikimit të projekteve të lidhjes në fushën e transportit.
Ajo vuri theks të veçantë te përforcimi i bashkëpunimit rajonal për një transport më të gjelbër, më të sigurt dhe gjithëpërfshirës, duke u shprehur se transformimi i sektorit të transportit është një kusht për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të mbetur një promotor i integrimit evropian dhe zhvillimit rajonal, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të udhëheqë me përgjegjësi dhe vizion proceset e bashkëpunimit brenda Komunitetit të Transportit.
/e.xh/a.f/r.e/