Shtyhen bisedimet SHBA–Iran në Zvicër, Vance nuk udhëton drejt takimit

Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit që do të nisnin këtë të premte në Zvicër, dy ditë pasi këto dy vende nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, u shtynë, pasi siç u shpreh Shtëpia e Bardhë, zëvendëspresidenti JD Vance, që drejton negociatat për administratën Trump, nuk do të udhëtonte drejt vendit alpin pasi planet për bisedime nuk ishin finalizuar, por ndërkohë SHBA priste nisjen e bisedimeve teknike sa më shpejt të ishte e mundur.
Bisedimet pritej të përqendroheshin në zbatimin e memorandumit dhe nisjen e diskutimeve për çështje më afatgjata siç është programi bërthamor i Iranit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, dhënien fund të sanksioneve amerikane ndaj Iranit, si dhe një plan për rindërtimin e Iranit, ndërsa dokumenti detyron dy palët që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda një periudhe 60-ditore, e cila mund të shtyhet në kohë me miratimin e dy palëve.
Shtyrja e tyre pa afat u vendos në një kohë që Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah shkëmbyen sulmet më të dhunshme që nga vendosja e armëpushimit mes tyre, gjatë të cilave humbën jetën 4 ushtarë izraelitë dhe u vranë të paktën 18 persona në Liban.
“Me gjithë respektin që kemi për amerikanët, Izraeli duhet t’ia bëjë të qartë të gjithë botës se gjaku i djemve tanë dhe siguria e qytetarëve tanë nuk janë për t’u diskutuar. I gjithë Libani duhet të digjet”, u shpreh ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, pasi ushtria e vendit të tij njoftoi se katër ushtarë të saj kishin humbur jetën.
Memorandumi i mirëkuptimit SHBA-Iran parashikon dhënien fund të luftës në Liban dhe garantimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të atij vendi. Izraeli deri tani ka këmbëngulur se nuk do të tërheqë trupat nga jugu i Libanit, duke u kritikuar nga presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti Vance.
Një ditë më parë, Vance i bëri thirrje Izraelit të respektonte procesin e paqes, duke e quajtur të papranueshëm faktin që shumë njerëz që nuk kishin lidhje me Hezbollahun po humbnin jetën në Liban.
/rtsh.al/