Hita: Siguria rrugore, përgjegjësi e përbashkët e gjithë shoqërisë. Rruga nuk është pistë garash, por hapësirë jete

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka marrë pjesë në një aktivitet sensibilizues për sigurinë rrugore, të zhvilluar në bashkëpunim me Shoqatën Evropiane për Kërkimin dhe Analizën e Aksidenteve, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të transportit rrugor, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të shoqërive të sigurimit, autoshkollave dhe institucioneve arsimore. Në fjalën e tij, Hita theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përgjegjësisë së përbashkët në rritjen e sigurisë në rrugë, duke nënvizuar se çdo aksident rrugor përfaqëson një tragjedi njerëzore dhe jo thjesht një statistikë.
“Është kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë t’ju përshëndes sot në këtë aktivitet të përbashkët me Shoqatën Evropiane për Kërkimin dhe Analizën e Aksidenteve. Prania juaj këtu dëshmon se siguria rrugore nuk njeh kufij dhe se sfidat tona janë të përbashkëta”, u shpreh Hita në nisje të fjalës së tij.
Ai theksoi se siguria rrugore është një detyrim moral dhe shoqëror që prek jetën e çdo qytetari. Sipas tij, çdo humbje jete në rrugë është një dramë njerëzore që nuk mund të reduktohet në numra statistikash.
“Siguria rrugore nuk është thjesht një sfidë institucionale. Ajo është një përgjegjësi e përbashkët, një detyrim moral dhe një garanci për jetën e çdo qytetari që lëviz në rrugë. Sot nuk jemi këtu për një aktivitet sensibilizues të radhës, por për diçka shumë më të shtrenjtë, për jetën. Çdo humbje jete në statistikat tona të aksidenteve nuk është thjesht një numër, është një jetë e ndërprerë në mes, është një familje e lënduar”, u shpreh Hita.
Ai u bëri thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke theksuar se rruga nuk është pistë garash, por hapësirë bashkëjetese.
“Drejtuesit e automjeteve, motomjeteve dhe këmbësorët duhet të ndërgjegjësohen dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, pasi rruga nuk është një pistë garash, por një hapësirë bashkëjetese ku përgjegjshmëria e secilit prej nesh përcakton nëse do të kthehemi shëndoshë e mirë në shtëpi, te njerëzit tanë, ose jo”, deklaroi ai.
Duke folur për modernizimin e punës së Policisë së Shtetit, Hita theksoi se kontrollet tradicionale po zëvendësohen me sisteme inteligjente monitorimi, ku teknologjia luan rol kyç në evidentimin e shkeljeve. Ai bëri me dije se Policia po përdor pajisje moderne si radarët automatikë, dronët dhe sistemet “Poliscan”, të cilat mundësojnë identifikimin e shkeljeve në kohë reale pa ndërprerë trafikun.
“Koha e ndalimeve pa shkak apo e ‘gjuetisë’ së gjobave ka mbaruar. Sot, Policia e Shtetit ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent. Strategjia jonë e re bazohet në parimin: fajtorin e përcakton teknologjia, jo intuita. Nëpërmjet mjeteve inteligjente si pajisjet ‘Poliscan’, dronët e cilësisë së lartë dhe radarët automatikë, ne evidentojmë shkeljet në kohë reale pa ndërprerë rrjedhën e trafikut dhe pa krijuar stres të panevojshëm te drejtuesit e rregullt të mjeteve”, deklaroi ai.
Megjithatë, Hita theksoi se teknologjia nuk mjafton pa ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe respektimin e rregullave të qarkullimit. Ai u ndal edhe te rreziqet kryesore në rrugë, duke bërë thirrje për kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve.
“Shpejtësia vret. Mos nxitoni për të mbërritur disa minuta më parë, duke rrezikuar të mos mbërrini kurrë ose të mbërrini të gjymtuar. Parakalimet e gabuara janë lojë me jetën. Celulari në timon ju verbon për sekonda që mund të jenë fatale. Alkooli dhe substancat e tjera nuk kanë vend në timon”, u shpreh ai.
/rtsh.al/