E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyhet seanca paraprake në GJKKO, Kryemadhi: SPAK intimidon dëshmitarët

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Seanca paraprake për dosjen ndaj Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi u shty për më datë 9 tetor.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe refuzim të deklarimit të pasurisë.

Shkak për shtyrjen e seancës ditën e sotme u bë mungesa e avokatit mbrojtës të Ilir Metës, Kujtim Cakrani. Ky i fundit kishte dërguar në sekretarinë e Gjykatës një kërkesë për shtyrje, për shkak të problemeve shëndetësore.

Në sallën e GJKKO ishte e pranishme vetëm ish-deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi, e cila pas shtyrjes së seancës ngriti akuza ndaj SPAK.

Në një prononcim për gazetarët, Kryemadhi e quajti gjyqin e saj politik, të nisur pas denoncimeve për inceneratorët, ndërsa akuzoi SPAK se ka intimiduar dhe shantazhuar dëshmitarët.

“Procesi lë shumë për të dëshiruar, për mënyrën dhe metodologjinë që është përdorur. SPAK dhe i gjithë procesi ka qenë shumë i zënë me intimidimin apo kërcënimin e dëshmitarëve, që për hir të së vërtetës në dëshmitë që kam lexuar të gjithë dëshmitarët veçse kanë përballur presionin dhe intimidimin”, tha Kryemadhi.

“Ku ndryshon një kriminel që i vendos një pistoletë në kokë një biznesmeni, një prokurori, një politikani, nga një institucion si ky këtu që kërcënon, intimidon, shantazhon, linçon një qytetar që nuk pranon të thotë atë që ka dëshirë të thotë prokurori në dosje”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi gjithashtu tha se gjyqi është politik.

“Sigurisht që politik është gjyqi im. Me paratë e inceneratorëve pastaj kapen gjyqtarët që mbajnë në burg njerëz të pafajshëm dhe lirojnë grupet e strukturuara kriminale. Kjo është drejtësia për të cilën flasim. I bëj thirrje opozitës, medias por edhe qytetarëve, kur në sistemin e drejtësisë përfshihen njerëz që kanë frustrime nga e kaluara dhe që profesionin e kthejnë në hakmarrje personale, sigurisht që këto janë pikat e dobëta të drejtësisë”, tha Kryemadhi.

SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën, Monika Kryemadhi, Pirro Xhixhon, Ema Çokun si dhe Fatime Kryemadhin, të ëmën e Monika Kryemadhit.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Me të njëjtat akuza si Meta përballet edhe Monika Kryemadhi.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›