Si gamilja që flet për dëborën
Nga ato që foli sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD mund të përllogarisim se që nga hera e fundit kur doli në publik, Kryeministri shqiptar i është larguar planetit tonë edhe disa vite dritë të tjera. Berisha e ka konsideruar të shkëlqyer punën e tij dhe të kabinetit që drejton dhe është mburrur parë e prapë me rritje ekonomike dyshifore “në të gjitha fushat” gjatë vitit të kaluar, dhe ka informuar deputetët e tij se vendi po përjeton “një bum”.
Edhe pse nuk ka përmendur shifrat e Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo ato të papunësisë, të përqindjes së lartë të popullsisë e cila jeton nën nivelin e varfërisë, Kryeministri është ndjerë konfident që ekonomia shqiptare po njeh një zhvillim “të paprecedent”. Kjo sipas tij i kushtohet mbi të gjitha luftës kundra korrupsionit dhe zbatimit të programit më “të shkëlqyer” që ka njohur vendi - edhe pse sipas Barometrit të Transparency International, lufta kundër Korrupsionit në Shqipëri nuk ka fare duk në sytë e popullit. Shqipëria listohet e fundit për efektivitet në luftën kundra korrupsionit, dhe ky sondazh është mbledhur para Gërdecit që tregoi se si Korrupsioni, Qeverinë “Berisha” e ka mbarsur për të pjellë zi.
Mes të tjerash, Berisha nuk harron të theksojë që importet janë rritur me 13%, ndërsa eksportet me 41% dhe shton pastaj, “…rritja e eksporteve “Made in Albania” është 3 herë më e madhe se rritja e importeve”. Një lapsus? - Sepse 41% i “X” mund të jetë realisht shumë herë më i vogël se 13% i “Y”. Ndaj, të thuash që 41% është 3 herë më i madh se 13% pa patur parasysh X dhe Y është ose paaftësi, ose pandershmëri.
Gjithsesi, nuk do merrem me demontimin e shifrave bujare që i kanë servirur besnikët Berishës pasi nuk jam as i zanatit, e duket, nuk është as e nevojshme, pasi sensi i rrumpallës në këto fjalime tip “Ju betohem që jeni mirë” flet vetë. Përherë më tepër Kryeministri më ngjan me ato gamilet afrikane që kanë dëshirën e madhe të tregojnë për dëborën, që nuk e kanë parë kurrë.