Siguria e ndërtimeve në vend, Sula: Duhet bashkëpunim institucional dhe kontroll teknik gjatë gjithë ciklit të jetës së objektit

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, zhvilloi një takim me ekspertë të fushës për të diskutuar mbi sfidat dhe nevojën për forcimin e sigurisë së ndërtimeve në vend.
Sula theksoi se siguria e ndërtimeve nuk mund të mbetet përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, standarde të përbashkëta dhe përgjegjësi të qarta për të gjitha palët e përfshira në proces.
Sipas tij, rreziqet me të cilat përballet sektori i ndërtimit kanë ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa ngjarje si zjarret, tërmetet dhe përmbytjet nuk mund të konsiderohen më fenomene të rralla, por pjesë e një realiteti të ri që kërkon planifikim, ndërtim dhe inspektim më të kujdesshëm.
“Siguria e ndërtimeve nuk mund të jetë përgjegjësi e një institucioni të vetëm. Ajo kërkon bashkëpunim, standarde të përbashkëta, përgjegjësi të qarta dhe institucione që punojnë në mënyrë të koordinuar. Rreziqet me të cilat përballet sektori i ndërtimit kanë ndryshuar. Zjarret, tërmetet dhe përmbytjet nuk mund të trajtohen më si ngjarje të rralla, por janë pjesë e realitetit të ri, për të cilin duhet të planifikojmë, të ndërtojmë dhe të inspektojmë çdo ditë. Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse objekti është ndërtuar sipas projektit, por edhe nëse ai është i sigurt gjatë gjithë jetës së tij”, tha Sula.
Ai nënvizoi se siguria e ndërtesave nuk fillon dhe përfundon në kantier, por lidhet me të gjithë zinxhirin e procesit. Sipas tij, çdo hallkë e dobët në këtë proces mund të krijojë rreziqe për qytetarët.
Në fjalën e tij, Sula theksoi gjithashtu se kontrolli teknik duhet të shtrihet përgjatë gjithë ciklit të jetës së ndërtesës dhe jo vetëm deri në momentin e kolaudimit.
“Siguria e ndërtesës nuk fillon dhe mbaron në kantier, por lidhet me kontrollin teknik, ndërtimin, materialet, kolaudimin dhe çdo hallkë tjetër të procesit. Çdo hallkë e dobët në këtë zinxhir krijon rrezik. Siguria e ndërtesës nuk përfundon me kolaudimin. Kontrolli teknik duhet të ndjekë të gjithë ciklin e jetës së ndërtesës, e cila banohet dhe përdoret nga qytetarët. Kjo është një nga sfidat kryesore që kemi përpara”, tha ai.
Sula kërkoi vendosjen e standardeve të qarta, forcimin e kontrolleve teknike në pikat kyçe të procesit të ndërtimit, rritjen e profesionalizmit në sektor dhe përcaktimin e qartë të përgjegjësive edhe pas përfundimit të projekteve.
“Prandaj duhen standarde të qarta, kontrolle teknike në pikat kyçe, ndërtim profesional, bashkëpunim mes institucioneve dhe përgjegjësi të përcaktuara qartë edhe pas përfundimit të projektit. Reforma e inspektimeve nuk është thjesht një ndryshim strukture, por një ndryshim mendësie”, tha Sula.
/rtsh.al/