Skema Kombëtare, Xhafa për ATSH-në: Interes në rritje në Durrës, fermerët asistohen në Agropika

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Në qarkun e Durrësit, agroturizmi po shënon interesin më të lartë të aplikimeve nga fermerët dhe sipërmarrësit ruralë në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, duke evidentuar interes në rritje për investimet që lidhin zhvillimin e fermës me turizmin rural dhe produktet lokale të zomës.
Që prej nisjes së aplikimeve më 25 maj, në bashkitë Durrës, Shijak dhe Krujë është shtuar fluksi i fermerëve pranë strukturave bujqësore për informacion dhe asistencë, me synimin për të përfituar nga mbështetja financiare që ofron skema kombëtare.
Përgjegjësi i Agropikës Durrës, Ervis Xhafa, tha për ATSH-në se interesi është rritur ndjeshëm krahasuar me vjet për të aplikuar në Skemën Kombëtare. Një pjesë e konsiderueshme e interesit lidhet me investimet në agroturizëm.
“Po vërejmë nga viti në vit, një interes në rritje nga fermerët në të gjithë qarkun e Durrësit për aplikimet në Skemën Kombëtare 2026. Krahas masave tradicionale të mbështetjes në bujqësi dhe blegtori, këtë vit po shohim një vëmendje më të madhe për investimet në agroturizëm, si një sektor me potencial të rëndësishëm zhvillimi për zonat rurale”, u shpreh Xhafa.
Ai bëri të ditur se pranë Agropikës Durrës dhe strukturave vendore të bujqësisë po ofrohet asistencë e vazhdueshme për çdo aplikant, në mënyrë që procesi të jetë sa më i thjeshtë dhe i aksesueshëm.
“Këtë vit aplikimi në portalin e-Albania është më i thjeshtë dhe më i shpejtë se një vit më parë, me numër të përgjysmuar veprimesh. Mjafton të hapim e-Albania dhe të ngarkojmë të dhënat e aplikantit, NIPT-in, bashkinë, masën që përfitojnë, numrin e llogarisë bankare dhe aplikimi kryhet me sukses”, theksoi Xhafa.
Specialistët tanë, na tregoi ai, janë në dispozicion të fermerëve për t’i orientuar dhe për t’i ndihmuar në plotësimin e dokumentacionit dhe aplikimin përkatës. Qëllimi është që çdo fermer apo sipërmarrës rural të ketë mundësinë të informohet dhe të aplikojë lehtësisht për të përfituar nga masat mbështetëse të shtetit.
“Skema Kombëtare ka 12 masa mbështetëse që financohen nga qeveria shqiptare. Këtu në Agropikën Durrës, ofrojmë ndihmë dhe këshillim për fermerët e bashkisë Krujë, Durrës dhe Shijak”, tha Përgjegjësi i Agropikës Durrës, Ervis Xhafa.
Sipas Xhafës ritmi i aplikimeve është në rritje dhe interesi pritet të intensifikohet edhe më shumë në javët në vijim, ndërsa fermerët po shfaqin interes jo vetëm për mbështetjen në prodhimin bujqësor e blegtoral, por edhe për zgjerimin e aktivitetit përmes modeleve të reja të zhvillimit rural, ku agroturizmi po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
Xhafa i bëri thirrje fermerëve dhe sipërmarrësve ruralë që të paraqiten pranë Agropikave dhe njësive administrative për të marrë informacionin e nevojshëm dhe për të përfituar nga mundësitë që ofron skema, si një mbështetje konkrete për zhvillimin e fermave dhe ekonomisë rurale.
Skema Kombëtare 2026 me një buxhet prej 5,2 miliardë lekësh, adreson subvesione për fermerët dhe subjektete rurale për 12 masa mbështetës, tre nga të cilat përfshijnë mbështetje për investime nga fermerët e rinj në ferma bujqësore dhe blegtorale, ndërtim stanesh dhe mekanikë bujqësore.
Skema Kombëtare 2026 synon të mbështesë fermerët me pagesa direkte për:
Rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, duke ulur kostot nëpërmjet pagesave direkte për sipërfaqe të kultivuar dhe për kafshë të matrikulluara.
Kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve në serra, certifikimin e produkteve bujqësore dhe të fermave organike. Mbështetjen me grante për investime në ferma, agropërpunim, akuakulturë dhe agroturizëm.
/e.xh/a.f/