E Martë, 3 Nëntor 2026

“Skënderbeu” emëron Olsi Haxhillarin si trajnerin e ri për ekipin e femrave në volejboll

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Klubi Shumësportësh “Skënderbeu” njoftoi emërimin zyrtar të Olsi Haxhillarit në detyrën e trajnerit të ekipit të vajzave në volejboll për sezonin e ri sportiv, pas largimit të Orlando Kojës te “Dinamo”.

Me një përvojë të gjatë në volejboll dhe një qasje profesionale ndaj punës, trajneri Haxhillari ka nisur tashmë përgatitjet për ndërtimin e skuadrës, me objektiva të qarta.

Projekti i ri do të fokusohet në kombinimin e talenteve vendase dhe elementëve të huaj, në funksion të forcimit të ekipit dhe përfaqësimit dinjitoz në kampionatin kombëtar.

Emërimin e trajnerit të ri të ekipit të vajzave në volejboll e ka përshëndetur edhe prefekti i qytetit të Korçës, Nertil Jole.

Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, Jole i uron suksese trajnerit të ri të ekipit të vajzave në volejboll të Korçës, Olsi Haxhillari.

“Me punën e shtruar dhe rezultatet shumë të mira të arritura gjatë sezoneve paraardhëse, akoma më premtuese është perspektiva, falë cilësive të spikatura e pasionit të trajnerit të ri dhe shpirtit luftarak të skuadrës. Suksese të gjithëve”, shkruan Jole.

Ekipi i “Skënderbeut” sezonin e fundit u shpall nënkampion i Shqipërisë në volejboll për vajza, pasi humbi finalen me “Tiranë”, që mori fronin. Humbje e cila shkaktoi dhe dorëheqjen e Orlando Kojës.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›