E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sot derbi i kryeqytetit, Tirana kërkon kthesën e Partizani vazhdimësinë

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Java e 15-të e kampionatit “Abissnet Superiore” sjell përballjen më të rëndësishme të kryeqytetit, derbin mes Tiranës dhe Partizanit, që do të luhet sot në orën 18:00.

Nuk do të jetë një derbi si gjithë të tjerët, ai i sotmi mes Tiranës dhe Partizanit.

Përballen dy skuadrat kryesore të kryeqytetit, por këtë sezon të dyja ndodhen shumë larg pritshmërive të zakonshme. Tirana vjen pas humbjes 6-2 ndaj Dinamos, ndërsa Partizani pas fitores 1-0. Në përballjen e parë të sezonit fitoi Tirana, në fitoren e saj të vetme deri tani.

Statistikat e të dy ekipeve nuk janë ato që zakonisht shohim nga Partizani dhe Tirana.

Partizani është skuadra e dytë me më pak zotërim topi në Abissnet Superiore, me mesatare 44,6% (më pak ka vetëm Bylisi). Gjithashtu, me 76,3% pasime të sakta, Partizani gabon më shumë se çdo skuadër tjetër në fazën e zotërimit të topit.

Nga ana tjetër, Tirana është ekipi që po pëson më shumë goditje në portë në gjithë kampionatin, rreth 12,5 për ndeshje — dyfishi i Teutës, që pëson më pak. Tirana renditet e treta për përqindjen e goditjeve në portë me 37,6%, ndërsa Partizani është i fundit me vetëm 21,8%.

Të dyja ekipet kanë përqindje të mira në duelet mbrojtëse, pasi të dyja janë mbi 60%. Megjithatë, këto të dhëna janë larg standardit që zakonisht vendosin Partizani dhe Tirana, dhe situata kërkon vëmendje maksimale për të shmangur rrezikun e një sezoni të dështuar.

Në atmosferën e veçantë të stadiumit Air Albania, tensioni dhe intensiteti i këtij derbi pritet të jenë në qendër të vëmendjes, në një mbrëmje që mund të shënojë pikën e kthesës për njërën prej skuadrave.

Po sot, në orën 13:30, Bylis do të presë Teutën në Ballsh.

Ndërkohë, të hënën janë në program tri ndeshje të tjera. Egnatia pret Vorën në orën 16:00, ndërsa në orën 19:00 do të luhen dy sfidat e fundit të javës.

Vllaznia udhëton drejt Elbasanit dhe Flamurtari pret Dinamo City-n në Vlorë.

Abissnet Superiore, java 15

Bylis – Teuta                         07.12.2025 13:30

Tirana – Partizani                   07.12.2025 18:00

Egnatia – FK Vora                  08.12.2025 16:00

AF Elbasani – Vllaznia             08.12.2025 19:00

Flamurtari – Dinamo City        08.12.2025 19:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›