E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sot është afati i fundit për dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin 2024

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Subjektet tregtare duhet të dorëzojnë brenda ditës së sotme pasqyrat financiare për vitin 2024, pasi 31 korriku është afati i fundit ligjor për depozitimin e tyre.

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) më herët u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve të dorëzojnë në afat bilancet vjetore, pasi sipas saj, dorëzimi i pasqyrave është një detyrim ligjor dhe mosrespektimi i këtij afati sjell masa administrative ndaj subjekteve që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Procesi i aplikimit kryhet vetëm në mënyrë elektronike, përmes portalit zyrtar e-Albania, pa nevojën e paraqitjes fizike në sportele.

Dokumentacioni që duhet të dorëzohet përfshin: pasqyrat financiare vjetore, raportin mbi ecurinë e veprimtarisë, si dhe raportin e auditimit (kur është i detyrueshëm).

QKB u kujton të gjitha bizneseve rëndësinë e respektimit të afateve për të shmangur penalitete dhe për të garantuar transparencë financiare në përputhje me ligjin.

Sipas Ligjit “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 113, nëse një tatimpagues nuk dorëzon brenda afatit deklaratën tatimore të detyrueshme, atëherë dënohet me gjobë për çdo deklaratë të vonuar.

Për deklaratën vjetore të tatimit mbi fitimin (bilancin fiskal vjetor), gjoba fikse është 10 000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ; 5 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë me përjashtim të tatimpaguesit individë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›