Spahiu takim me drejtuesit e QSUNT: Fokus i veçantë te shëndeti i fëmijëve

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu zhvilloi një takim me drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku në fokus ishte përmirësimi i menaxhimit dhe shërbimeve shëndetësore.
Gjatë takimit, Spahiu kërkoi më shumë koordinim, eficiencë dhe përgjegjësi në çdo hallkë të shërbimit.
“Kërkova përdorimin sa më të mirë të kapaciteteve të të gjithë sistemit spitalor, për të lehtësuar ngarkesën e QSUNT, përmirësuar shërbimet dhe për t’u dhënë qytetarëve kujdes më cilësor dhe në kohë”, theksoi Spahiu.
Një vëmendje e veçantë, sipas saj, do t’i kushtohet edhe shëndetit të fëmijëve, përmes një qasjeje më të integruar ndaj shërbimeve pediatrike dhe nevojave të tyre.
“QSUNT duhet të jetë shembull i një menaxhimi modern, efikas dhe mbi të gjitha, të orientuar te pacienti”, u shpreh Spahiu.
/m.q/j.p/r.e/