Berisha: Do eksplorohen forma të reja protestash

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se opozita do të kalojë në forma të ndryshme protestash.
Duke iu referuar protestës së paralajmëruar në 28 shkurt, Berisha tha se “do eksplorohen forma të reja protestash”.
“Do i diversifikojmë protestat, kemi kreativitet. Do eksplorohen forma të reja. Të gjitha format janë në konsideratë dhe kjo është vetëm protestë. Asgjë nuk përjashtohet. Të jemi realistë. Opsionet janë të gjitha”, tha Berisha i pyetur nga gazetarët nëse opozita do të bllokojë rrugët.
Lidhur me protestën e kaluar, Berisha tha se “ne kemi mbajtur qëndrimin më korrekt ndaj xhamisë”.
“Asnjë protestë, asnjë protestues nuk ka kaluar në segmentin nga Ura e Tabakut tek dera e parlamentit. I kemi përjashtuar tërësisht nga veprimtaria protestuese. Por, këta banditë kanë hedhur sasi të pafundme gazi për të revoltuar besimtarët që falnin namazin. Kanë futur me dhjetëra trupa në tarracat e xhamisë”, shtoi ai.
Berisha garantoi besimtarët se në mënyrë absolute, në territorin karshi xhamisë, PD nuk do zhvillojë asnjë aktivitet proteste.
“Por natyrisht i garantoj organizatën kriminale se nuk do mund të mbrojnë parlamentin duke u betuar se gjoja po mbrojnë xhaminë. Njerëz të pafe, pa din, pa imam, njerëz që vjedhin qytetarët e tyre, nuk kanë asgjë të përbashkët as me besimin, as me xhaminë, as me kishën, as me teqenë”, shtoi ai.
/m.m/a.f/