E Martë, 3 Nëntor 2026

Spiropali rrëzon pretendimet e PD: Seanca pas raportit të Këshillit të Legjislacionit

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nëpërmjet një shkrese zyrtare, iu përgjigj pretendimeve të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, sipas së cilit mbledhja e Këshillit për Legjislacionin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, është akt antikushtetues.

Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit u thirr me urdhër të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali për të shqyrtuar vendimin nr. 55, datë 10 korrik 2024, të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e deputetes Xhaçka.

Duke cituar Rregulloren e Kuvendit, Spiropali u shpreh se vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë efekt në legjislacion, merren në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin brenda 30 ditëve pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare.

“Këshilli analizon dhe diskuton sipas përcaktimeve të bëra në këtë rregullore, efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli harton një raport dhe ia paraqert atë Kryetarit të Kuvendit”, shtoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit nënvizon se “Këshilli për Legjislacionin është organi i Kuvendit i cili analizon dhe diskuton efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të kompetencës ku Kuvendi është palë dhe harton një raport të cilin ia paraqet Kuvendit”.

“Për rrjedhojë kërkesa e paraqitur nga 1/5 e deputetëve për thirrje të Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, në kushtet e mungesës së një akti të Këshillit të Legjislacionit, i cili i duhet paraqitur Kryetarit të Kuvendit dhe më tej seancës plenare, e bën të pamundur zbatimin e nenit 74, pika 3 të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit njoftoi se shqyrtimi në seancë do të bëhet menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pasi të jetë përcjellë raporti i Këshillit për Legjislacionin.

“Ky trajtim nuk cenon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas përcaktimit në dispozitën e tij, as parashikimin në ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku parashikohet se ‘kërkesa për papajtueshmëri të funksionit të deputetit mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, por jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 3 muaj nga konstatimi i papajtueshmërisë’”, argumentoi Spiropali.

Bardhi: Spiropali shkeli Kushtetutëm

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke marrë shkas nga urdhri i kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali për thirrjen e Këshillit të Legjislacionit në 27 gusht, deklaroi se urdhri i kryeparlamentares është antikushtetues.

“Kryetarja e Kuvendit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të thërrasë sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, mbledhja e Këshillit të Legjislacionit, përveçse është një zvarritje e panevojshme e procedurës për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës, është konsideruar edhe një procedurë antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

“Në paragrafin 61 të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese theksohet se: ‘Gjykata vlerëson se Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës, ka thirrur ekspert të jashtëm dhe, më pas, ka vlerësuar se çështja duhet t’i përcillet për votim seancës plenare”, deklaron Bardhi.

Sipas tij, zvarritja 2-vjeçare e kësaj çështjeje dhe moszbatimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mbrojtje politike nga drejtësia të një deputetje të shumicës, bashkëpunëtore e ngushtë e Edi Ramës.

“Është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dënojmë me forcë standardin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”.  Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor”, deklaron Bardhi. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›