Spiropali viziton luftëtarët e plagosur në Kiev: Sakrifica e tyre, mbrojtje e lirisë europiane

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës zyrtare në Kiev, u ndal pranë Qendrës Mjekësore të Ministrisë së Brendshme, ku takoi luftëtarët ukrainas që po i nënshtrohen procesit të rehabilitimit pas plagëve të rënda të marra në frontin e luftës.
Teksa bëri publike në rrjetet sociale videon, Spiropali bisedoi me ta duke vlerësuar sakrificën e mijëra burrave e grave që kanë mbrojtur me trimëri tokën e Ukrainës, ndërsa familjet e tyre vijojnë të përballen me trauma të rënda të një lufte të padrejtë.
“Shërbimi i tyre deri në sakrificë ndaj atdheut është një shërbim i lartë për mbrojtjen e dinjitetit dhe lirisë njerëzore në kontinentin tonë,” u shpreh ministrja.
Vizita e saj në Kiev, e nisur një ditë më parë, përfshiu takime me zyrtarë të lartë të Ukrainës, ku Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për popullin ukrainas përballë sulmeve masive që kanë goditur popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike. Ajo theksoi se solidariteti i Shqipërisë me Ukrainën është i palëkundur dhe se vendi ynë do të vijojë të kontribuojë në mbështetje të kauzës së saj për liri dhe pavarësi.
/rtsh.al/