Grabiten me armë dy vëllezër, në kërkim autorët
Lezhë-Policia e Lezhës ka nisur kontrollet për kapjen e autorëve të një grabitjeje me armë, të ndodhur sot në Milot. Sipas burimeve zyrtare, grabitja ndodhi në rrugën nacionale që lidh qytetin e Milotit me autostradën.
“Dy vellezerit S. C, i datëlindjes 1975 dhe A. C, i datëlindjes 1988, që të dy lindur dhe banues në fshatin Maqellarë të rrethit të Dibrës janë grabitur teksa udhëtonin me mjetin e tyre tip, benz-furgon”- thanë burimet policore.
Mësohet se ata ishin nisur nga Bulqiza në drejtim të Lushnjes (për të marrë furnizim, zarzavate) dhe në dalje të Milotit janë përballur me një automjet të tipit “Fiat – Uno”, me ngjyrë të bardhë, me targa italiane, i cili lëvizte në drejtim të Milotit.
Në momentin e shkëmbimit midis tyre, mësohet se automjeti tip Fiat-Uno, i ka dhënë sinjal furgonit që të ndalontë, por dy vëllezërit nuk kanë ndaluar dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të Fushë Milotit të rrethit Kurbin.
Në afërsi të mbikalimit të superstradës Fushë-Milot, automjeti tip Fiat-Uno, i ka bllokuar rrugën furgonit dhe nga ky automjet kane dalë tre persona, të pa maskuar, njëri prej të cilëve me automatik në dorë.
Pasi kanë ndaluar furgonin, autorëet kanë kërkuar që dy vëllezërit të zbresin nga furgoni. “Kur ata kanë zbritur, dy prej autorëve kanë hyrë në furgon duke marrë një sasi të konsiderueshme të parave që ata kishin me vete për furnizimin”- sqarojnë të njëjtat burime.
Më pas grabitësit janë larguar me paratë, duke mos i dëmtuar vëllezërit. Policia ndërkohë ka nisur kontrollet në zonat që përfshihen në rrethin e Kurbinit. Mësohet se janë shoqëruar shumë persona, të cilët janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen në fjalë. “Nga kontrolli u bllokua mjeti Fiat-uno, me targa italiane, ku sipas deklarimeve të marra nga dy vëllezërit e dëmtuar, rezulton të jetë mjeti me të cilin është kryer grabitja”- thanë burimet policore.