Detaje nga vrasja në Berat, konflikti nisi për një foto dhe përfundoi në vrasjen e 42-vjeçarit para syve të familjes së tij

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasdite e kësaj të marte në lagjen historike të Kalasë së Beratit, ku një konflikt i vogël për një foto ka degjeneruar në vrasje.
Sipas gazetares së RTSH, Anila Sefa, viktima, Keli Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë, ndodhej në Berat së bashku me gruan, dy fëmijët dhe nënën e tij nga Tirana për pushime.
Në sheshin e lagjes Kala, ai pa një kalë të lidhur në shtyllë dhe i bëri një foto një vajze të vogël. Pronari i kalit i kërkoi llogari dhe para për foton. Këtu lind dhe debati, gjatë të cilit autori goditi viktimën me grusht, dhe kur ky i fundit iu kundërpërgjigj me të njëjtën mënyrë, 63-vjeçari nxori thikën dhe e goditi disa herë në trup. Pavarësisht pranisë së personave të tjerë, askush nuk mundi të ndalonte autorin e vrasjes.
I plagosuri, 42 vjeç, nga Tirana, u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve.
Pas ngjarjes, autori Kristo Mema u largua. Policia e Beratit ka ngritur postblloqe në hyrje dhe dalje të zonës.
Autori 63-vjeçar kishte qenë i dënuar për vrasje në Greqi me 25 vjet burg, dënim që e kishte shlyer. Ai njihej si person grindavec, pasi sherret dhe debatet e tij në zonën e Kalasë ishin pothuajse të përditshme.
/rtsh.al/