E Hënë, 2 Nëntor 2026

Superliga, Vllaznia fiton ndaj Tiranës, Elbasani mund Bylisin

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Vllaznia dhe Elbasani kanë fituar përballjet respektive ndaj Tiranës dhe Bylisit. Ndeshjet e vlefshme për javën e tetë të Superligës, konfirmuan diferencën mes ekipeve në krye të klasifikimit dhe atyre që luajnë për mbijetesë.

Në Shkodër, Vllaznia mundi 3-1 Tiranën, në derbin klasik të Superiores, ndërsa në Elbasan, verdheblutë mundën me rezultatin 2-1 Bylisin.

Të dyja ndeshjet dhuruan spektakël dhe gjithashtu edhe përplasje të forta mes lojtarëve në katërkëndëshin e gjelbër.

Në “Loro Boriçi”, Tirana arriti të jetë e para në avantazh, falë një goli të Tebekou në minutën e 9’, por kjo nuk i mjaftoi bardhebluve për të marrë pikë në Shkodër. Vllaznia gjeti menjëherë barazimin në minutën e 14’ falë Andrey Yaho, teksa Bekim Balaj shënoi golin e dytë 5 minuta më vonë.

Në minutën e 52-të, Kouros u ndëshkua me të kuq, duke lënë kuqeblutë me 10 lojtarë, por edhe pse në inferioritet numerik, ekipi i Martinit gjeti edhe golin e tretë. Kastrati shënoi me penallti në minutën e 77-të, për të kompletuar fitoren. Me këtë sukses, Vllaznia mban vendin e parë me 19 pikë, ndërsa Tirana renditet në vendin e parafundit me 6 pikë.

Me këtë fitore Vllaznia forcon pozitat në krye të klasifikimit, duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve, ndërsa Tirana mbetet e parafundit me 6 pikë.

Në ndeshjen tjetër, verdheblutë e Elbasanit shënuan dy gola që në pjesën e parë, duke treguar epërsinë ndaj ballshiotëve, të cilët luajtën me dhjetë lojtarë në shumicën e kohës. Bruno u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 25-të. Vetëm një minutë më vonë, Ibrahim zhbllokoi takimin. I njëjti autor shënoi edhe të dytin në minutën e 38-të. Në fraksionin e dytë, golin e vetëm e shënoi Marku në minutën e 51-të, por nuk ndryshoi rrjedhën e ndeshjes.

Elbasani me këto tri pikë, ngjitet në vendin e dytë, me 14 pikë, aq sa edhe Dinamo City, që mundi më herët Vorën, dhe Egnatia, që është një ndeshje më pak.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 8
E premte, më 24 tetor
Vora – Dinamo City                        0-2
Vllaznia – Tirana                            3-1
AF Elbasani – Bylis                         2-1
E shtunë, më 25 tetor
Partizani – Egnatia                         17:00
Teuta – Flamurtari                         17:00

Klasifikimi: Vllaznia 19 pikë, Egnatia 14 pikë, Dinamo City 14 pikë, Elbasani 14 pikë, Teuta 11 pikë, Vora 10 pikë, Partizani 7 pikë, Bylis 6 pikë, Tirana 6 pikë, Flamurtari 2 pikë.

* Partizani, Egnatia, Teuta dhe Flamurtari kanë një ndeshje më pak

/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›