TALIN – Michal: Estonia e gatshme të dërgojë trupa paqeruajtëse në Ukrainë

TALIN, 30 prill /ATSH-DPA/ – Estonia është gati të kontribuojë me trupa në një mision të mundshëm paqeruajtës evropian në Ukrainë, deklaroi kryeministrja Kristen Michal.
Vendi baltik, anëtar i BE-së dhe NATO-s, është gati të vendosë një forcë tokësore ekuivalente me numrin e trupave të një kompanie, së bashku me instruktorë dhe oficerë të shtabit, sipas një deklarate të lëshuar nga Kancelaria në Talin.
“Siguria e Ukrainës është siguria e Evropës. Një Ukrainë e pavarur dhe sovrane, që i përket familjes evropiane, është garancia më e mirë strategjike kundër imperializmit të Moskës për të gjithë ne. Ne duhet të tregojmë se dimë si të zbatojmë ide të mira’’.
Britania e Madhe dhe Franca po udhëheqin një “koalicion të të gatshmëve” për të dërguar trupa në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, megjithëse mbeten shumë pyetje.
Dërgimi i trupave estoneze në kuadër të misionit do të kërkonte miratimin parlamentar.
Koalicioni është një grup joformal vendesh që mbështet përpjekjet e Ukrainës për një paqe të drejtë.
Edhe pse ka fituar vrull në muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara ende nuk janë zotuar të ofrojnë garanci sigurie.
Sipas raporteve të fundit të medias britanike, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca mund të kufizojnë kontributet e tyre në misionet e trajnimit, mbështetjen e pajisjeve dhe mbikëqyrjen ajrore, në vend që të vendosin trupa./ /os/