SIRI – Të paktën 22 të vrarë në përleshjet pranë Damaskut

DAMASK, 30 prill /ATSH-DPA/- Njëzet e dy persona janë vrarë në përleshjet në një qytet në periferi të Damaskut, ndërsa grupe të armatosura sulmuan civilët dhe forcat e sigurisë, tha sot grupi i monitorimit (SOHR).
“Gjashtëmbëdhjetë anëtarë të forcave të sigurisë siriane u vranë dhe gjashtë anëtarë të komunitetit Druze u vranë gjithashtu, gjatë përleshjeve”, tha kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), Rami Abdel Rahman.
Më herët, Agjencia Shtetërore e Lajmeve Siriane Arabe (SANA) tha se ishin vrarë 11 persona.
“Që nga e marta, grupet e armatosura kanë qëlluar mbi automjetet civile dhe të sigurisë publike në rrugë, ndërsa sulmues të tjerë sulmuan një pikë kontrolli në qytetin Sahnaya, në jug të kryeqytetit”, raportoi SANA.
Sipas SOHR, forcat qeveritare, të mbështetura nga Ministritë e Mbrojtjes dhe të Brendshme, si dhe njësitë paraushtarake aleate, kanë forcuar kontrollin e tyre mbi zonat kyçe brenda qytetit fqinj, Ashrafiyat Sahnaya.
Përleshjet në Sahnaya erdhën një ditë pas shpërthimit të dhunës në qytetin Jaramana, pranë Damaskut, e shkaktuar nga një regjistrim audio i një personi që fyen profetin mysliman Muhamed.
“Të paktën 17 persona u vranë në përleshjet në Jaramana”, sipas organizatës siriane për të drejtat e njeriut me seli në BM.
Regjistrimi iu atribuua një anëtari të komunitetit Druze, duke shkaktuar përleshje midis anëtarëve të komunitetit Druze dhe grupeve të tjera.
Që nga rrëzimi i sundimtarit të hershëm Bashar al-Assad në dhjetor, udhëheqja e re islamiste e Sirisë ka bërë thirrje për unitet – por dhuna vdekjeprurëse ka shpërthyer vazhdimisht.
Në mars, shpërthyen përleshje midis forcave të sigurisë siriane nën drejtimin e autoriteteve e reja të vendit dhe personave të armatosur besnikë ndaj al-Assad, në rajonin bregdetar perëndimor të Sirisë. Luftimet shkaktuan qindra të vdekur. //a.i/