TEHERAN – Negociatori iranian nuk e përjashton daljen nga traktati bërthamor nëse rivendosen sanksionet

TEHERAN, 23 korrik /ATSH/- Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi paralajmëroi sot se kërcënimet evropiane për rivendosjen e sanksioneve mund ta bëjnë Iranin të tërhiqet nga pakti ndërkombëtar që kufizon përhapjen e armëve bërthamore, një nga masat e fundit mbrojtëse kundër programit bërthamor të Republikës Islamike, sipas AP.
Bisedimet midis Iranit dhe Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe – anëtarët e mbetur të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 – nga e cila SHBA-ja u tërhoq gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump – do të zhvillohen të premten në Stamboll.
Të tre vendet evropiane kanë sugjeruar aktivizimin e një dispozite të ashtuquajtur “rikthimi” i sanksioneve ndaj Iranit nëse nuk ka progres në marrëveshjen për të kufizuar programin e tij bërthamor deri në gusht.
Marrëveshja e vitit 2015 lehtësoi ndëshkimet ekonomike ndaj Iranit në këmbim të kufizimeve dhe monitorimit të programit të tij bërthamor, për të cilin Irani ka këmbëngulur se është paqësor.
Gharibabadi, i cili ka qenë pjesë e ekipit negociator bërthamor, tha se pavarësisht presionit të brendshëm për t’u tërhequr nga Traktati i vjetër i Mospërhapjes Bërthamore, veçanërisht pas sulmeve të fundit izraelite dhe amerikane në vendet bërthamore, Irani ka qëndruar në përputhje me traktatin e vitit 1970.
“Jam i bindur se nëse aktivizohet rikthimi i sanksioneve, Irani nuk do të tregojë më shumë vetëpërmbajtje në këtë drejtim”, tha Gharibabadi.
Nëse Irani del nga traktati, do të jetë vendi i dytë që e bën këtë, pas Koresë së Veriut në vitin 2003, tërheqja e së cilës nuk është pranuar kurrë zyrtarisht.
Trump po kërkon sërish një marrëveshje me Teheranin mbi programin e tij bërthamor.
Të dy palët kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh përpara se Izraeli të kryente sulmion e papritur në qershor.
Gharibabadi dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, kanë mbetur optimistë se rikthimi i sanksioneve dhe tërheqja nga traktati mund të shmanget me diplomaci dhe negociata.
Gharibabadi tha se takimi i së premtes është shumë i rëndësishëm, dhe se suksesi i tij do të varet nga mënyra se si evropianët do t’i qasen Iranit këtë herë. //a.i/