E Martë, 3 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraelitët nënshkruajnë 43 peticione për përfundimin e luftës

TEL AVIV, 18 prill /ATSH-AA/ – Më shumë se 120 mijë izraelitë kanë nënshkruar 43 peticione duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Platforma ”Restart Israel” u mundëson izraelitëve të shqyrtojnë dhe nënshkruajnë peticionet në mënyrë elektronike.

Deri më sot, gjithsej 120 522 njerëz kanë nënshkruar thirrje për kthimin e pengjeve dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës.

16 nga 43 peticionet u nënshkruan nga mbi 10 mijë anëtarë të ushtrisë, përfshirë veteranë, rezervistë dhe ushtarë nga brigada të shumta, njësi elitare dhe degë të inteligjencës.

27 peticione e mbetura u nënshkruan nga profesionistë civilë, përfshirë akademikë, shkrimtarë, poetë, artistë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë.

Figura të dukshme midis nënshkruesve përfshijnë ish-kryeministrin Ehud Barak, ish-shefin e shtabit Dan Halutz, katër ish-komandantë të marinës (Ami Ayalon, Yedidia Yaari, Alex Tal dhe Dudu Ben-Besht), si dhe tre ish-udhëheqës të komandos detare ”Flotilla 13” (Ran Galinka, Uzi Livant dhe Tzvika Erez.

Dy ish-komandantë të artilerisë, Avraham Bar David dhe Doron Kadmiel, po ashtu u nënshkruan, së bashku me figura të tjera të larta ushtarake si Amram Mitzna, Avi Mizrahi, Amos Malka, Amnon Reshef, Moshe Sukenik, Nimrod Sheffer dhe Ilan Biran.

Peticionet kërkojnë lirimin e 59 pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza, 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë, si dhe për një armëpushim në enklavë.

Të premten e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi nënshkruesit ushtarakë për mosbindje dhe kërcënoi se do t’i shkarkojë ata.

Ai pretendoi se grupet e financuara nga jashtë po mbështesin përpjekjet për të rrëzuar koalicionin e tij, që mori detyrën në fund të vitit 2022.

Lëvizja me peticionet pasoi skadimin e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, e cila filloi më 19 janar me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit dhe me mbështetjen e SHBA-së./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›