UASHINGTON – Trump akuzon Iranin për përhapje të dezinformatave rreth një marrëveshjeje të mundshme me SHBA-në

UASHINGTON, 12 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump akuzoi sot Iranin, se po përhap dezinformata lidhur me një marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, ai deklaroi se kushtet që Irani i ka dhënë medieve për publikim “NUK kanë asnjë lidhje me kushtet që janë rënë dakord, me shkrim”.
“Ajo që ata kanë thënë, përfshirë deklaratën e tyre të dobët dhe patetike, për arritjen e një marrëveshjeje, nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Janë njerëz shumë të pandershëm për të negociuar. Me ta nuk ekziston koncepti i negociimit me mirëbesim”, shkroi ai.
“Duhet të rregullojnë sjelljen e tyre, dhe SHPEJT!”, shtoi Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Trump ngriti përsëri shpresat për nënshkrimin e një marrëveshjeje të mundshme kornizë midis Iranit dhe SHBA-së, duke sugjeruar në mënyrë të paqartë këtë fundjavë – ndoshta në Evropë – si një afat kohor.
Kjo marrëveshje kuadër mund të hapte rrugën për negociata të mëtejshme drejt një përfundimi të përhershëm të luftës.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt. Një armëpushim është në fuqi që nga prilli, megjithëse të dy palët kanë kryer sulme gjatë javëve të fundit. //a.i/