TURQI – Erdogan: Përpjekjet e Rusisë për bisedime të reja në Ukrainë forcojnë shpresat për paqe

STAMBOLL, 29 maj /ATSH/- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se propozimi i Rusisë për të zhvilluar raundin e ardhshëm të negociatave me Ukrainën forcon shpresat për paqe, sipas “Sky News”.
Gjatë një bisede me gazetarët, Erdogan deklaroi se qeveria turke ishte në kontakt me Ukrainën dhe Rusinë.
“Në veçanti, momenti i fundit në përpjekjet për negociata ofron një mundësi për të arritur paqe të qëndrueshme”, tha ai.
“Rruga drejt një zgjidhjeje kalon përmes dialogut dhe diplomacisë. Ne po përdorim të gjithë fuqinë dhe potencialin tonë diplomatik për paqe”, tha presidenti turk.
Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës
Më 16 maj, në Turqi u zhvillua takimi i parë pas disa vitesh midis delegacioneve nga Ukraina dhe Rusia, gjatë të cilit palët diskutuan mënyrat e mundshme për t’i dhënë fund luftës.
Po atë ditë, presidenti Volodymyr Zelensky mbërriti në Turqi për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, por Kremlini njoftoi se ai nuk do të merrte pjesë personalisht në bisedime.
Delegacioni ukrainas u drejtua nga ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, dhe delegacioni rus u drejtua nga ndihmësi i Putinit, Vladimir Medinsky.
Një nga çështjet kryesore në axhendë ishte shkëmbimi i të burgosurve në shkallë të gjerë – i cili u krye në tre faza gjatë fundjavës së kaluar.
Rusia propozoi dje një raund të dytë bisedimesh me Ukrainën për armëpushim, më 2 qershor, në Stamboll. //a.i/