TVSH 10% për fermerët nga 1 janari 2026 – Skema e re fiskale mbështet prodhimin vendas

Nga data 1 janar 2026 ka nisur zbatimi i skemës së kompensimit të TVSH-së 10% për fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore tek grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmet e certifikuara.
Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj, tha për RTSH se kjo masë është pjesë e paketës së re fiskale për vitin 2026. Sipas ligjit, kompensimi i TVSH-së 10% do të llogaritet mbi vlerën e faturave të lëshuara nga blerësi i produkteve bujqësore.
“Kur flasim për TVSh kemi dy koncepte, TVSH 10% që rimbursohet për një grupim fermerësh dhe TVSH e zakonshme që është 20% për gjithë subjektet e tjera. Për TVSH 10% do të përfitoj ai grupim fermerësh të cilët nuk janë të regjistruar por kanë nipt dorëzojnë produktet e tyre tek pikat e grumbullimit tek agroturizmet dhe tek subjektet që janë të certifikuara me TVSh”, tha ai.
Sipas Rrapajt, kjo skemë përbën një hap strategjik për mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
“Regjistrimi me nipt i jep mundësinë fermerit që të përfitoj 10%, ata që tejkalojnë vlerën prej 100 mijë euro përsëri e përfitojnë TVSH dhe formalizimi është elementi që ne duam të realizojmë”, u shpreh Rrapaj.
Për fermerët e pajisur me NIPT tatimor, të cilët nuk janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, fatura e shitjes do të lëshohet nga blerësi. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se nga viti 2018 deri në shtator 2025 janë pajisur me NIPT tatimor rreth 110 mijë fermerë.
/rtsh.al/