E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarran takon drejtorin e EBU: Forcim i medias publike në Shqipëri

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Gjendja e medias në Shqipëri, ishte në qendër të takimit që kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran zhvilloi me drejtorin e përgjithshëm të European Broadcasting Union (EBU), Noel Curran.

Gjatë takimit, palët diskutuan edhe për rolin e transmetuesit publik RTSH dhe zhvillimet dhe reformat e fundit në fushën e medias

Ambasadori Tarran vlerësoi rëndësinë e forcimit të medias publike dhe të garantimit të standardeve profesionale në gazetari, si elementë kyç për funksionimin e një shoqërie demokratike.

Duke vlerësuar përputhjen mes punës së EBU-së dhe mandatit të Prezencës së OSBE-së për të forcuar median publike dhe për të çuar përpara lirinë dhe pluralizmin e medias, të dyja palët ranë dakord të shqyrtojnë mundësi për bashkëpunim më të afërt në këto fusha.

Drejtori i përgjithshëm i Unionit Evropian të Transmetuesve Publikë (EBU), Noel Curran, zhvilloi edhe një vizitë në Radio Televizionin Shqiptar, ku u prit nga drejtoresha e përgjithshme, Eni Vasili. Gjatë takimit, Curran u njoh nga afër me sfidat dhe situatën komplekse që po kalon media publike në vend.

Në kuadër të kësaj vizite, drejtori i EBU-së, i shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, pati një takim edhe me Kryeministrin Edi Rama.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›