E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, kritere të reja për rekrutimin e punonjësve

Miratohen kriteret e reja për rekrutimin e punonjësve të administratës tatimore. 

Fabiola Çela
Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të procedurave tatimore, qeveria ka miratuar edhe kriteret e reja që duhet të plotësohen nga punonjësit e administratës tatimore. Ndërkohë, projektvendimi i miratuar dje përcakton edhe penalitetin për ata punonjës që marrin ryshfete, si dhe u ndalon punonjësve që të shprehin mendimet e tyre partiake. Në listën e shkeljeve disiplinore janë renditur edhe thyerja e dispozitave të legjislacionit tatimor, dëmtimi i pronës shtetërore, apo përdorimi i saj jashtë përcaktimit zyrtar. Sipas projektvendimit, vendimet disiplinore merren kur sigurohet shumica e thjeshtë e votave të të gjithë anëtarëve të komitetit. Ato shkojnë deri në masën “largim nga puna”.
Rekrutimi
Vendet e lira brenda administratës tatimore do të plotësohen në varësi të kategorisë dhe të natyrës së pozicionit nëpërmjet tri procedurave. Transferim i personelit tatimor brenda së njëjtës kategori, ngritje në kategori nëpërmjet konkurrimit të personelit tatimor ekzistues të një kategorie më të ulët dhe rekrutimi i personelit nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur, janë tri mënyrat e plotësimit të vendeve të lira brenda administratës. Më pas, Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, më poshtë (DPT), në zbatim të strukturës analitike të miratuar dhe nevojave funksionale, shpall vendet e lira. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve me propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, miraton procedurën e konkurrimit për këto vende të lira. Ndërkohë pranimi i nëpunësve të administratës tatimore kryhet nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur. Konkurrimi zhvillohet në tri faza. Fillimisht shpallet konkurrimi nga drejtoria apo zyra e personelit, i cili bën gjithashtu edhe përzgjedhjen e kandidatëve që do t’i nënshtrohen testimit, pasi vlerëson se kandidatët  plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Testimi bëhet me shkrim dhe me gojë. Po sipas këtij vendimi, kërkesat për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve dhe zv. drejtorit të Përgjithshëm do të jenë të hapura. Për këtë post, ministri i Financave i propozon Kryeministrit kandidaturat që plotësojnë kriteret e përcaktuara në vendim. Ndërkohë që për zëvendësin, propozimin e kandidaturave për miratim ministrit të Financave ia bën drejtori i Përgjithshëm.
Ngritja në kategori
Në procedurën e ngritjes në kategoritë e ndryshme lejohen të marrin pjesë kandidatët që janë të punësuar në sistemin tatimor qendror në të njëjtën kategori dhe që kanë shërbyer për të paktën 2 vjet pa ndërprerje, me kusht që të plotësojnë kërkesat e përcaktuara për secilën kategori. Në rast se numri i punonjësve ekzistues, kandidatë për vendin e lirë është më i vogël se katër, zbatohen procedurat e konkurrimit të hapur për shtetasit që plotësojnë kriteret e përgjithshme dhe të veçanta. Për aplikim për ngritjen në kategori, kandidati duhet të mos ketë në dosjen personale masa disiplinore për një periudhë 1-vjeçare.

Ndarja e kategorive

• Drejtor i Përgjithshëm: nëpunës civil i nivelit të lartë drejtues;

• Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm: nëpunës civil, i nivelit të lartë drejtues;

• Kategoria A: nëpunës civil, i nivelit të mesëm drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: drejtor drejtorie në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtor i Drejtorisë Rajonale.

• Kategoria B: nëpunës civil, i nivelit të ulët drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: drejtor drejtorie në Drejtorinë Rajonale dhe përgjegjës sektori në Drejtorinë e Përgjithshme.

• Kategoria C1: nëpunës civil, i nivelit të ulët drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: përgjegjës sektori/zyre, në Drejtorinë Rajonale dhe njësitë e ngjashme me to; dhe përgjegjës zyre në Drejtorinë e Përgjithshme.

• Kategoria C2: nëpunës civil, i nivelit ekzistues. Në këtë kategori përfshihen inspektorët në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të nivelit IVA, dhe inspektorët në Drejtoritë Rajonale dhe njësitë e ngjashme me to, të nivelit IVA.

• Kategoria C3 klasifikimi: inspektor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të nivelit IVB, dhe inspektor në Drejtoritë Rajonale dhe njësitë e ngjashme me to, të nivelit IVB.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›