E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tatimet kujtojnë biznesin, afati për dorëzimin e pasqyrave financiare është deri më 31 mars

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit se afati i fundit për dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin 2025 është 31 mars 2026. Pasqyrat dorëzohen vetëm në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Filing.

Ky detyrim i përket subjekteve që paguajnë Tatimin mbi Fitimin Korporativ ose Tatimin mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi, si dhe organizatave jofitimprurëse me qarkullim mbi 5 milionë lekë. Pasqyrat duhet të hartohen në përputhje me ligjin nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”.

Sipas AKT-së, së bashku me pasqyrat financiare duhet të dorëzohen edhe dokumentet shtesë, përfshirë gjendjen e inventarit të mallrave, lëndës së parë, prodhimit në proces dhe mjeteve të transportit, si dhe raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë.

Dokumentet dorëzohen në version PDF të skanuar dhe Excel, të nënshkruara dhe të vulosura nga përfaqësuesi ligjor ose personi përgjegjës për hartimin e pasqyrave.

Tatimpaguesit duhet gjithashtu të plotësojnë të dhënat në menunë “Kontabilitet” të sistemit e-Filing, duke përzgjedhur periudhën tatimore përkatëse dhe duke dhënë informacionin mbi hartuesin e pasqyrave.

Për sqarime ose informacion shtesë, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Shërbimin për Tatimpaguesit pranë çdo Drejtorie Rajonale Tatimore ose Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002.

Ky njoftim synon të sigurojë përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe përmirësimin e transparencës financiare për të gjithë tatimpaguesit.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›