Tatimet zbardhin mashtrime me pagat në një biznes në Korçë, referon rastin për hetime

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Administrata Tatimore konfirmoi një denoncim qytetar në Korçë për një subjekt që merret me prodhimin dhe tregtimin e birrës dhe pijeve alkoolike, ku rezultoi se nuk deklaronte pagat reale të punonjësve dhe shmangte detyrimet ligjore.
Kontrolli i kryer në vendin e aktivitetit zbuloi se një pjesë e kompensimeve për punonjësit përfitohej pjesërisht në dorë dhe pjesërisht përmes bankës, ndërsa punonjësit punonin më shumë se pesë ditë në javë pa përfituar pagesën shtesë të parashikuar nga ligji për orët e jashtë orarit dhe ditët e pushimit.
Sipas DPT-së, këto shkelje përbëjnë shmangie të drejtpërdrejtë nga praktikat tatimore dhe një zvogëlim të përfitimeve të punonjësve, duke ndikuar negativisht edhe në nivelin e kontributeve dhe pensioneve që ata do të marrin në të ardhmen.
Subjekti është penalizuar sipas legjislacionit në fuqi dhe rasti është referuar për hetime të mëtejshme Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Administrata Tatimore thekson se do të vijojë kontrollet në terren bazuar edhe në denoncimet qytetare, për të luftuar informalitetin, veçanërisht shmangien e deklarimit të saktë të pagave të punonjësve, vijon kontrollet në terren bazuar edhe në denoncimet qytetare. /j.p/r.e/