BOLIVI – Ish-presidenti Luis Arce arrestohet nën akuzën për korrupsion

LONDËR, 11 dhjetor /ATSH/- Ish-presidenti i Bolivisë, Luis Arce është arrestuar në La Paz, si pjesë e një hetimi për korrupsion të dyshuar, sipas BBC.
Hetimi lidhet me kohën kur Arce, 62 vjeç, ishte ministër i Ekonomisë nën drejtimin e presidentit të atëhershëm Evo Morales, i cili ishte në detyrë nga viti 2006 deri në vitin 2019.
Ai akuzohet për autorizimin e transfertave nga thesari publik në llogaritë personale të udhëheqësve politikë.
Arce, i cili u largua nga detyra muajin e kaluar, ende nuk ka komentuar, por ish-kolegia e tij María Nela Prada tha se ishte i pafajshëm dhe e përshkroi arrestimin si një “abuzim total të pushtetit”.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kërkoi që Arce të ndalohej për krimet e dyshuara të “shkeljes së detyrës”, sipas urdhrit të arrestit të lëshuar nga Ministria e Brendshme.
Hetimet për një përvetësim të dyshuar prej miliona dollarësh në Fondin e Zhvillimit të Popujve Indigjenë (Fondioc) kanë vazhduar prej vitesh.
Burimet e destinuara për projektet e zhvillimit të komunitetit indigjen dyshohet se u devijuan, projektet u lanë të papërfunduara ose nuk ekzistuan kurrë.
Disa zyrtarë dhe politikanë janë implikuar në këtë rast, përfshirë Lidia Patty, një ish-ligjvënëse e partisë MAS, dëshmia e së cilës është përdorur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për të kërkuar arrestime.
Arrestimi i tij, vjen më pak se dy muaj pasi kandidati i qendrës, Rodrigo Paz, fitoi zgjedhjet e balotazhit të tetorit, duke i dhënë fund qeverisjes – prej gati dy dekadash – të partisë së majtë MAS, të cilën e përfaqësonte Arce, i cili vendosi të mos kandidonte për rizgjedhje. //a.i/