Të ardhurat tatimore në shkurt 2026, 34,9 miliardë lekë

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Të ardhurat në buxhetin e shtetit vijojnë të shënojnë rritje, si rezultat i përmirësimit të administrimit tatimor dhe forcimit të përputhshmërisë së tatimpaguesve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë muajit shkurt të ardhurat neto arritën në 34,9 miliardë lekë, duke realizuar 103,2% të planit të parashikuar për këtë periudhë.
Në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2025, të ardhurat kanë shënuar një rritje prej 12,2%, duke reflektuar trendin pozitiv të mbledhjes së të ardhurave dhe masat e ndërmarra për forcimin e administrimit fiskal.
Sipas administratës tatimore, ky rezultat është tregues i përpjekjeve të vazhdueshme për formalizimin e ekonomisë, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e përputhshmërisë tatimore nga ana e bizneseve dhe qytetarëve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se puna për rritjen e efikasitetit të administrimit fiskal dhe luftën kundër informalitetit do të vijojë edhe gjatë muajve në vijim, me synimin për të garantuar stabilitet në të ardhurat buxhetore dhe mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

/j.p/r.e/