E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dënuar për vrasje, arrestohen në Itali dy vëllezërit shqiptarë

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Policia italiane në bashkëpunim me policinë shqiptare arrestuan dy vëllezër shqiptarë, të dënuar për vrasje.

Konkretisht sipas policisë, si rezultat, u arrestuan në Itali shtetasit Artur Mehilli, 60 vjeç, dhe Arben Mehilli, 54 vjeç.

“Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2001, i ka dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, konkretisht: shtetasin Artur Mehilli, me 15 vjet e 6 muaj burgim; shtetasin Arben Mehilli, me 16 vjet e 6 muaj burgim”, njoftoi policia.

Policia bëri me dije se më datë 12.09.1999, në Lushnjë, dy shtetasit vranë, për motive gjakmarrjeje, shtetasin R. M., i cili në vitin 1997 kishte vrarë vëllanë e tyre, shtetasin S. M.

“Të arrestuarit, pas kryerjes së krimit, janë larguar në Itali duke përdorur pasaporta me gjeneralitete false (shtetasi Artur Mehilli përdorte gjeneralitetet Artur Davidhi, ndërsa shtetasi Arben Mehilli përdorte gjeneralitetet Arben Gjermeni), nëpërmjet të cilave kishin siguruar dokumentet e nevojshme për qëndrim në Itali”, njoftoi policia.

Sipas policisë identifikimi i tyre u mundësua si rezultat i një pune intensive, duke përdorur teknologjinë më të fundit të identifikimit biometrik “Facial Recognition”, nga specialistët e Drejtorisë së Interpolit.

Vijon bashkëpunimi me homologët italianë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të dy shtetasve, në Shqipëri.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›