Fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, partitë shtojnë premtimet në javën e fundit para 19 tetorit

Fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fazën e saj të fundit dhe kur kanë mbetur pak ditë nga 19 tetori, partitë kanë shtuar premtimet për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duke u kërkuar mbështetje për kandidatët e tyre për kryetarë komunash në 4 vitet e ardhshme.
Koalicionet shqiptare vijojnë përplasjet.
Koalicioni VLEN, që është në bashkëqeverisje me VMRO- DMPNE në përmes një njoftimi ka kritikuar përpjekjet Bashkimit Demokratik për Integrim për të shndërruar zgjedhjet lokale të 19 tetorit në referendum.
Sipas këtij koalicioni kur populli zgjohet, asnjë mashtrim nuk mund ta ndalë. “BDI përpiqet t’i kthejë zgjedhjet lokale në “referendum”, sepse nuk ka më çfarë të tregojë, as punë, as besim, as rezultat.”- thuhet në deklaratën e VLEN, ndërsa kritikojnë partinë shqiptare në opozitës edhe për marrëveshjen e Ohrit, që sipas atij koalicioni nuk e ka zbatuar.
Sipas VLEN më 19 tetor shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të shkruajnë një faqe të re të historisë.
Ndërkohë Aleanca Kombëtare për Integrim, që drejtohet nga BDI, tha se më 19 tetor nuk ka zgjedhje lokale, por një referendum kombëtar për dinjitet dhe krenari kombëtare.
“Jemi së bashku për t’u përballur me të keqen dhe nënvlerësimin që u është bërë shqiptarëve në këto 12 muaj nga qeveria. Hristijan Mickoski nuk e njeh Marrëveshjen e Ohrit, arritjet e shqiptarëve duke shkelur mbi gjakun e derdhur dhe sfidat”, tha kreu i BDI Ali Ahmeti.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/