E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta-Apolonia, finalja e Kupës së Shqipërisë për vajza 2025-2026

TIRANË, 12 /ATSh/ Teuta dhe Apolonia do të përballen në finalen e Kupës së Shqipërisë për vajza për edicionin futbollistik 2025-2026, duke vulosur një rrugëtim të merituar drejt aktit më të rëndësishëm të këtij kompeticioni.

Për herë të parë në historinë e saj, Teuta siguron një vend në finalen e Kupës, pas dy gjysmëfinaleve të forta ndaj Vllaznisë së Shkodrës. Edhe në sfidën e kthimit, durrsaket triumfuan 1-2 në stadiumin “Loro Boriçi”, falë dopietës së Da Silvës, duke konfirmuar formën dhe ambicien e tyre për këtë sezon.

Sakaq, pas fitores 1-2 në takimin e parë ndaj Gramshit, Apolonia administroi me qetësi edhe sfidën e kthimit, që u mbyll në barazim 0-0. Ky rezultat mjaftoi për të siguruar kualifikimin në finale falë avantazhit të ndeshjes së parë.

Finalja Teuta-Apolonia pritet të dhurojë një spektakël të vërtetë sportiv dhe të kurorëzojë një edicion të suksesshëm të Kupës së Shqipërisë për vajza.

Federata e Futbollit njoftoi se ndeshja do të zhvillohet në muajin maj 2026, ndërsa detajet zyrtare do të bëhen të ditura në vijim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›