“Thanë puçi dështoi, por unë sapo kam nisur”/ Elisa Spiropali ironizon teoritë për komplot ndaj qeverisë, publikon foton si Che Guevara
Ish-ministrja Elisa Spiropali ka ironizuar teoritë për një puç të mundshëm ndaj kryeministrit Edi Rama, të diskutuara dy ditë më parë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me një fotografi të stilizuar si revolucionari Che Guevara, Spiropali ka reaguar me ironi ndaj pretendimeve për një komplot kundër kreut të qeverisë.
“Kreu i puçit. Thanë puçi dështoi, por unë sapo kam nisur”, shkruan Spiropali, duke thumbuar narrativën e ngritur rreth një përpjekjeje të organizuar për të goditur qeverinë Rama.
Reagimi vjen pas diskutimeve në emisionin “Opinion”, ku në qendër të debatit ishin hetimet e SPAK-ut ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë emisionit u hodhën teza se dosja ndaj Ballukut mund të ishte pjesë e një skenari më të gjerë për të goditur qeverinë dhe vetë kryeministrin Edi Rama.
Sipas këtyre pretendimeve, në këtë komplot të supozuar përfshiheshin prokurorë të SPAK-ut, agjentura të huaja, oligarkë, përfaqësues të krimit të organizuar.
Një narrativë e ngjashme është lidhur së fundmi edhe me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili është akuzuar nga Rama se qëndron pas protestës së ashtuquajtur të “flamingove”.

