Apokalipsi Darfur
Ban Ki Moon, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, kërkoi të merrej personalisht me situatën në Darfur. Pikërisht për këtë arsye, në mes të muajit shtator të vitit të kaluar fluturoi drejt Sudanit dhe vizitoi një pjesë të vendit e disa kampe refugjatësh. Ato ditë, Ban Ki Moon, mes mijëra problemeve dhe shqetësimeve, shfaqi një lloj optimizmi. Vetëm disa javë më parë, më 31 gusht të 2007-ës, Këshilli i Sigurimit kishte aprovuar rezolutën 1706, që vendoste sjelljen e 20 mijë trupave të ndërhyrjes së shpejtë, duke iu bashkuar kështu 7 mijë trupave të tjerë të Bashkimit Afrikan, të cilët ishin të pranishëm në terren që prej vitit 2004. Dërgesa e tyre ishte fiksuar më 27 tetor të 2007-ës, data e fillimit të bisedimeve për paqen në Sirte të Libisë, mes qeverisë sudaneze dhe grupeve të armatosura që kanë nën kontroll një pjesë të vendit.
Sekretari i OKB-së i bëri publike përshtypjet e tij për atë udhëtim. "Isha atje për të dëgjuar atë që kishin për të thënë njerëzit, funksionarët sudanezë, banorët e fshatrave që ishin të detyruar të braktisnin shtëpitë e tyre për t‘i shpëtuar luftës, vullnetarët e shoqatave humanitare dhe liderët e vendeve që ndodhen në kufi të Sudanit", shkruante Ban Ki Moon: "U ktheva në shtëpi me një imazh shumë të qartë të situatës: nuk mund të ketë një zgjidhje të vetme për të këtë krizë. Darfuri është një çështje shumë e komplikuar. Nëse do të arrihet ndonjëherë paqja në këtë vend, duhen marrë parasysh të gjithë elementët që shkaktuan këtë konflikt".
Fatkeqësisht paqe nuk ka ende. Nuk është hedhur asnjë hap për të arritur këtë gjë, madje nuk është bërë as edhe ndonjë marrëveshje humanitare që i lejon njerëzit të kthehen në fshatrat e tyre. Askush nuk e di se sa janë saktësisht këta burra, gra, të moshuar dhe fëmijë të cilët nuk kanë më asgjë - as shtëpi, as punë, as bukë, as ujë - dhe jetojnë vetëm falë ushqimit të "World Food Program", agjencia e ushqimit të Kombeve të Bashkuara. Shifrat e fundit të burimeve të OKB-së për vitin 2007 tregojnë se refugjatët që mbipopullojnë ato kampe "ferri", të cilat quhen (Bileil, Kalma, El Kasher, Ardamata) janë pothuajse 2 milionë e 400 mijë, ndërsa duke i bashkuar me ata që e kanë parë jetën e tyre të ndryshojë në mënyrë radikale nga ngjarjet e luftës, janë 4 milionë e 200 mijë.
Edhe shpërndarja e paqeruajtësve ka hasur vështirësi, duke filluar nga kundërshtimi i qeverisë sudaneze. Njëzetmijë trupat që do të dërgoheshin në Darfur nga Këshilli i sigurimit i OKB-së në ditët e para të 2008-ës janë reduktuar në 9 mijë. Padyshim që problemet janë të shumta, si mungesa e strukturave të prapavijës ku do të vendosen kampet ushtarake, hapësira e madhe e territorit për t‘u kontrolluar, ngurrimi i vendeve jo afrikane për të dërguar ushtarë në atë zonë. Të gjitha qeveritë e dinë se si e pësoi BE-ja kur vendosi të financonte misionin e parë të 2004-ës, duke i besuar bashkimit afrikan (ku bënin pjesë ushtarë nga Nigeria, Senegali dhe Ruanda): një pjesë e fondeve rreth 282 milionë euro nuk u shkoi kurrë ushtarëve të dërguar në Darfur dhe kur u kërkuan shpjegime për këtë fakt, u dhanë përgjigje aspak bindëse.
Kështu, ferri Darfur ka mbetur ashtu siç është, një vend ku jeta nuk vlen fare, ku njerëzit vdesin nga uria, etja ose dhuna e një lufte, e cila ka filluar që në vitin 2003 dhe është forcuar nga shfaqja në skenë e bandave paramilitare, grupeve të armatosura të paidentifikuara, kusarëve dhe banditëve të rrugës. Sot, pas pesë vjetësh, nuk është më vetëm konflikti mes Janjaweed (grupeve ushtarake arabe) të fisit Baggara dhe grupeve etnike Fur, Zaghawa dhe Masalit. Ky konflikt etnik e fisnor u zëvendësua menjëherë nga një luftë me të cilën po përballen arabët e përkrahur e të armatosur nga qeveria sudaneze dhe ushtria e Kartoum nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër është Lëvizja për Çlirimin e Sudanit (SLM) dhe Lëvizja për Drejtësi dhe Barazi (JEM).
Ata që kanë bërë llogaritjet, kanë vërejtur se popullsia është e përbërë vetëm nga bujq të përhershëm ose barinj nomadë. Kudo sheh fshatra të shkatërruara, fusha të shkreta dhe kope kafshësh të ngordhura. Uria ka qenë arsyeja e parë e kësaj lufte, shoqëruar nga shpërngulja masive e miliona njerëzve, që sot mirëpriten nga kampet e ndryshme, të cilat nuk kanë as kushtet minimale të jetesës. Rreth kësaj lufte është hapur edhe një debat politik, i cili nuk ka gjetur një linjë të përbashkët mes komunitetit ndërkombëtar. Çështja e Darfurit është konsideruar si gjenocid. Edhe pse kanë kaluar kaq vjet, kjo luftë nuk ka arritur të ndalet. Në vend nuk ka më vetëm dy lëvizje për çlirim. Tashmë Darfuri është mbipopulluar nga banda të panjohura kusarësh dhe grupe të armatosura, origjina e të cilave nuk dihet. Situata është rënduar shumë edhe për të gjithë ata vullnetarë humanitarë që kërkojnë të lehtësojnë dhimbjet e njerëzve. "Personeli ynë punon në kushte ekstreme, sepse kushtet e sigurisë janë të paimagjinueshme", pohon zëdhënësi i "World Food Program" në Sudan: "Për shkak të përleshjeve në kufijtë me Çadin, na u desh t‘i transferonim punëtorët tanë në bazat e tjera". Puna humanitare sa vjen e vështirësohet, por askush nuk ka ndërmend të braktisë miliona njerëz, të cilët mbijetojnë vetëm falë ndihmës së jashtme. "‘World Food Program‘ dhe organizatat e tjera humanitare do ta vazhdojnë punën e tyre dhe nuk e kanë hedhur kurrë hipotezën për t‘u larguar nga Darfuri", është shprehur më tej ai.
Shpërndarja e ndihmave është një sforco ciklopike. Numri i asistentëve varijon sipas stinës dhe situatës së konfliktit të armatosur. Në gusht të 2007-ës, numri i tyre varijonte nga 3 milionë e 300 mijë, në dy milionë e 100 mijë në muajin dhjetor. Ndërsa ushqimi në pjesën më të madhe të rasteve vjen përmes rrugëve tokësore. Pika e vetme e mbërritjes së anijeve me ndihma ushqimore është Porti Sudan, në Detin e Kuq. Nga aty, të gjitha ndihmat shkarkohen në kamionë të mëdhenj për t‘u dërguar më pas në fshatrat e vendit.
Sot, për të arritur në Darfurin perëndimor duhet të udhëtosh të paktën 3 mijë kilometra, ku pjesa më e madhe e këtij itinerari mund të bëhet vetëm përmes rrugëve tokësore ose pistave në shkretëtirë. Gjatë muajve të fundit, në disa zona banditët dhe kusarët u kanë bërë pritë kamionëve me ndihma për t‘i grabitur dhe shpesh e kanë bërë dhe kanë marrë me vete kamionët me ndihma. Nëse për një ditë, apo për një javë, këta kamionë me ndihma nuk do të shfaqeshin në vend, atëherë rezultati është një i vetëm: rritja e numrit të të vdekurve.