“Toka në Shkollë”, ndërgjegjësim për rëndësinë e mjedisit dhe ushqyerjen e shëndetshme

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Nisma “Toka në Shkollë” ka sjellë një frymë të re në mënyrën se si nxënësit lidhen me natyrën dhe kuptojnë rëndësinë e qëndrueshmërisë mjedisore.
Përmes aktiviteteve praktike, mësimeve ndërvepruese dhe projekteve inovative, nxënësit jo vetëm që mësojnë për mjedisin, por edhe e përjetojnë atë drejtpërdrejt.
Ky program i iniciuar nga Ministria e Arsimit shtrihet në shkolla në mbarë vendin, ku nxënësit jo vetëm zhvillojnë aftësi praktike, por edhe ndërgjegjësohen për rëndësinë e mjedisit dhe ushqyerjes së shëndetshme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga aktivitetet e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “3 Dëshmorët” në Vloçisht të Maliqit.
Nxënësit bashkë me mësuesen e biologjisë u angazhuan në përgatitjen e parcelës së shkollës për t’i dhënë jetë një hapësire të gjelbër.
Shumë shkolla në gjithë vendin kanë krijuar kopshte shkollore, ku fëmijët mbjellin dhe kujdesen për bimët, duke kuptuar rëndësinë e biodiversitetit dhe cikleve natyrore. Mësuesit janë kthyer në udhërrëfyes, duke e integruar këtë nismë në lëndë të ndryshme. /j.p/